​Hoxhaj: Draft-asociacioni i Ramës është hap i duhur, të ketë mbështetjen në Kosovë

Aktuale

​Hoxhaj: Draft-asociacioni i Ramës është hap i duhur, të ketë mbështetjen në Kosovë

Më: 8 qershor 2023 Në ora: 16:11
Enver Hoxhaj

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj deklaroi sot se draft-asociacioni i kryeministrit Edi Rama duhet ta ketë mbështetjen në Kosovë. Ai tregoi se e ka parë propozimin në fjalë, veçse refuzoi ta komentojë të njëjtin. Hoxhaj e quajti të drejtë, të duhur dhe të domosdoshëm hapin e Shqipërisë në tejkalimin e situatës aktuale në vend.

Sipas tij, Kosova është në një fazë kritike dhe se situata në veri nuk tregon për fuqizim të sovranitetit të vendit.

Hoxhaj u shpreh se Kurti duhet t’u thotë po tri kërkesave të partnerëve.

Hoxhaj: E kam parë dokumentin, por nuk e ka ndarë Rama me mua

(Video)

"Unë e kam parë dokumentin, por nuk e ka ndarë Edi Rama me mua. Unë e thash të hënën e kaluar që informohem goxha para do tjerëve në vend", tha ai.

Hoxhaj potencoi se me këtë propozim, Rama po bën përpjekje për t'i përmbushur interesat e Kosovës.

Hoxhaj: Rama me propozimin e tij po bën përpjekje që t'i përmbushë interesat e Kosovës

"Ajo se çfarë do të duhej ne ta kemi parasysh është se ka një procedurë të qartë nga marrëveshje e vitit 2013 dhe vitit 2015, se si do të duhej të hartohet draft-statuti i Asociacionit të komunave. Kush e themelon grupin, si hartohet është qartësi e plot. Por, çdoherë është mirë që të ketë vullnet të mirë prej palëve dhe është me rëndësi që të ketë mbështetje prej shteteve, të cilat janë mike. Raporti mes Kosovës dhe Shqipërisë është i tillë, ku për ne Shqipëria është një partner strategjik. Prej përvojës time në institucione, është që kur njeriu është në pozitë e ka përspektivën si me qenë në maje të malit. Mendoj që zotëri Rama me propozimin e tij po bën përpjekje që t'i përmbushë interesat e shtetit të Kosovës në një kohë, e cila është kritike dhe assesi t'i dobësojë këto interesa", theksoi Hoxhaj.

Ai refuzoi ta komentojë propozimin e draft-statutit të kryeministrit Edi Rama, veçse shprehu mbështetjen për këtë iniciativë.

Hoxhaj: Mos prisni prej meje qëndrim për dokumentin

"Mos prisni prej meje qëndrim për dokumentin, por përshëndetje dhe mbështetje për iniciativën e kryeministrit Rama. Dhe mbi të gjitha, çka unë di si prej përvojës si dikush që ka negociuar bashkë me disa kolegë planin e Ahtissarit, është që çdo herë ka mundësi zgjidhje kreative edhe për të përmbushur obligimet ndërkombëtare edhe për të mos lënduar funksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe për të ruajtur rendin kushtetues pa e prek", tha Hoxhaj.

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj tha se kjo iniciativë duhet ta ketë mbështetjen e Kosovës.

Hoxhaj: Iniciativa e kryeministrit Rama duhet të ketë mbështetjen në Kosovë

"Unë e përshëndes dhe e çmoj shumë kontributin e kryeministrit Rama dhe Shqipëria ka pasur rol në të kaluarën dhe duhet të ketë edhe sot, në tejkalimin e situatës në veri të vendit. Asociacioni nuk është një shpikje e kryeministrit Rama, është një obligim nga viti 2013, për të cilën unë kam qenë edhe në atë kohë që të zbatohet, që të krijohet. Nëse do të krijohej në 2013, në vitin 2023 nuk do të kishim këto probleme që i kemi sot. Zotëri Kurti e ka pranuar Asociacionin me pikën e shtatë, me një paketim të ri 'vetmenaxhim'. Iniciativa e kryeministrit Rama duhet të ketë mbështetjen në Kosovë", deklaroi ai.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj shtoi se drafti i propozuar nga Rama është hap i duhur dhe i drejtë.

Hoxhaj: Është hap i duhur që Shqipëria ka dalë me propozim të tillë

"Së pari mendoj që është një hap i duhur, i drejtë dhe i domosdoshëm që Shqipëria ka dalë me një propozim të tillë dhe është mirë që të ketë edhe një dialog, jo vetëm politik të brendshëm në Kosovë, por edhe një dialog ndërshqiptar për atë që po ndodhë në veri të vendit. Sepse, në fund të ditës jemi dy vende shqiptare në ballkan dhe vëllezërit tanë në Maqedoni, vanojnë në një hapësirë, e cila nuk është larg hapësirës që banon Kosova politikisht. Është mirë që të ketë përkrahje edhe e nga Tirana edhe nga Shkupi", tha ai.

Hoxhaj shtoi se ekzistenca e vendit është e lidhur me pikëpamjet dhe mbështetjen amerikane. Sipas tij, duhet të kontribuohet që ky raport të fuqizohet, meqë siç tha ai, Kurti nuk i beson dialogut.

Ndryshe, kryeministri shqiptar, Edi Rama ka deklaruar se e ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe te presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz. Për këtë dokument, ai ka thënë se i ka vënë në dijeni edhe presidentin e Këshillit Evropian dhe amerikanët. Rama ka thënë se drafti është i punuar nga ekspertë dhe sipas tij, pret që i njëjti të vlejë për të çuar në një nivel tjetër dialogun Kosovë-Serbi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat