“Lojërat e fatit” bllokojnë tunelin e destinuar për bartjen e të burgosurve në Pallatin e Drejtësisë

Aktuale

“Lojërat e fatit” bllokojnë tunelin e destinuar për bartjen e të burgosurve në Pallatin e Drejtësisë

Më: 18 qershor 2023 Në ora: 23:05
Foto ilustrim

Aparatet e lojërave të fatit të konfiskuara nga Policia e Kosovës, e kanë lënë jashtë funksioni tash e shumë muaj tunelin e destinuar për bartjen e të burgosurve në Pallatin e Drejtësisë. Sipas Gjykatës Themelore në Prishtinë, MPB-ja si përgjegjëse për këtë çështje nuk u ka gjetur asnjë zgjidhje përkundër kërkesave që kanë bërë. Gjykata e avokatët thonë se hyrja e të pandehurve në hyrjen e njëjtë me gjyqtarët e prokurorët, është e rrezikshme e shkelje e të drejtave.

Ky i burgosur është njëri nga shumë rastet që ekspozohen në publik, para se të hyjë në sallën e gjykimit brenda në Pallat të Drejtësisë.

Tash e shumë muaj, tuneli i cili është i destinuar për hyrjen e të pandehurve është jashtë funksionit, për shkak se aty janë vendosur aparatet e lojërave të fatit të cilat janë konfiskuar.

Pikërisht në këtë hyrje nuk ka më qasje as Gjykata Themelore e Prishtinës, sepse kësaj dere i është ndërruar edhe cilindri dhe aty tashmë kanë qasje vetëm zyrtarët policorë, dhe zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilëve Themelorja e Prishtinës iu janë drejtuar disa herë për të gjetur një zgjidhje.

Aparatet në fjalë janë bartur nga kompania e angazhuar nga Policia e Kosovës dhe janë vendos në pjesën e garazhit ku ekziston hyrja për të paraburgosurit, dera është mbyllur janë ndërruar cilindrat dhe çelësat i posedojnë policia dhe personi përgjegjës nga MPB për menaxhim të objekteve qeveritare. Tani më gjykata nuk ka asnjë qasje në asnjë pjesë. Administratori i GJTHP më datë 22 Gusht 2022 ka njoftuar Kryetaren e Gjykatës, Prokurorin e rastit dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme – Divizioni për Menaxhimin e Ndërtesave për vendosjen e aparateve në hapësirat e garazheve në Pallatin e Drejtësisë dhe me këtë veprim praktikisht është bllokuar komplet mundësia e qasjes me të paraburgosurit në sallat e gjykimit përmes rrugës, e cila është e destinuar për këtë qëllim dhe si pasojë nga tani e tutje të gjithë të paraburgosurit pavarësisht shkallës së rrezikshmërisë duhet të përdorin hyrjen e njëjtë me palët tjera dhe stafin e gjykatës, për tu qasur në sallat e gjykimit me çka paraqet rrezik për sigurinë e përgjithshme në Pallatin e Drejtësisë, po ashtu Administratori ka kërkuar nga përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme – Divizioni për Menaxhimin e Ndërtesave (DMN) Qeveritare që të zgjidhin këtë situatë pa vonesë”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Tutje, në përgjigjen e këtij institucioni thuhet se disa herë e kanë ngritur këtë shqetësim, dhe se institucionet e tjera e kanë shfrytëzuar mundësinë që Pallati nuk menaxhohet nga ta, por nga MPB-ja.

Edhe aktualisht gjendja është e njëjtë nga se aparatet janë ende aty dhe është e pamundur të përdoret ai korridor për qëllimin e destinuar. Ju njoftojmë se Pallati i Drejtësisë si objekt menaxhohet nga Ministria e Punëve të Brendshme – Divizioni për Menaxhimin e Ndërtesave (DMN) Qeveritare dhe tutje lidhur me këtë shqetësim të cilin edhe ne e kemi ngritur disa herë, t’i drejtoheni Ministrisë së Punëve të Brendshme”.

Ndërsa, ne si gjykatë jemi shumë të shqetësuar nga ky veprim i aktereve tjerë të cilët duke shfrytëzuar faktin se objekti nuk menaxhohet nga gjykata, kanë marrë veprime me të cilat kanë bllokuar hyrjet e gjykatës në pjesën e objektit D, kanë vështirësuar qasjen dhe kanë shtuar rrezikun për sigurinë  e përgjithshme në gjykatë”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

=Shqetësuese këtë e shohin edhe avokatët të cilët thonë se kjo çështje duhet të trajtohet urgjentisht nga institucionet përgjegjëse, dhe se me ekspozimin e tyre në hyrjen kryesore iu shkelen të drejtat të pandehurve.

Shkelet parimi i prezumimit të pafajësisë sepse çdo kush konsiderohet i pafajshëm përderisa e njëjta të vërtetohet me vendim të gjykatës. Pra, po krijohen imazhe të këqija për të pandehurit sepse të njëjti më pas po linçohen, po krijohet perceptimi se të njëjtit janë fajtorë dhe rrjedhimisht mandej po vjen deri në një dënim të tyre”, ka deklaruar Ahmet Tahiri – Avokat.

E sipas avokatit Arianit Koci, ky nuk është problemi i vetëm në këtë objekt, ku operojnë shumica e institucioneve të sistemit të drejtësisë.

Jo vetëm hyrja nëntokësore por edhe shumë çështje të tjera në këto ndërtesa, edhe pse është ndërtesë e re nuk funksionojnë si duhet. Ju e keni parë dimrit nuk kemi pasur nxemje, verës nuk kemi ftohje, thjesht nuk janë kushtet e mira, por siguria është mbi të gjitha, dhe besoj që këtë hyrje duhet shumë shpejt me lëshu”, ka thënë Koci.

Në lidhje me shqetësimet e ngritura nga Gjykata në Prishtinë dhe për mos-reagimin e tyre në lidhje me këtë, nuk kanë kthyer përgjigje tash e disa javë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat