Ledwidge vë në pikëpyetje vërtetësinë e një deklarate fajësuese për Thaçin

Aktuale

Ledwidge vë në pikëpyetje vërtetësinë e një deklarate fajësuese për Thaçin

Më: 19 korrik 2023 Në ora: 20:27
Ledwidge

Ka përfunduar dëshminë në Hagë ish-oficeri britanik i Inteligjencës, Francis Ledwidge, i cili ka shërbyer në Kosovë në kuadër të misionit monitorues të OSBE-së. Ai tha se është e bazuar në thashetheme një deklaratë e mëhershme e tij, në të cilën ia kishte atribuuar si citate Hashim Thaçit fjalët se “ka kaluar koha kur në Kosovë flitet serbishtja”. 

Ish-oficeri britanik, Francis Ledwidge, tha gjatë dëshmisë në procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së se, derisa gjatë luftës qëndroi në Kosovë, ka vërejtur një ndjenjë të theksuar të hakmarrjes, e sidomos pas lufte nga shqiptarët që ktheheshin nga kampet e refugjatëve.

Në Gjykatën Speciale ai u përball edhe me një deklaratë të mëhershme të tij, në të cilën ia kishte atribuuar si citate Hashim Thaçit fjalët se “ka kaluar koha kur në Kosovë flitet serbishtja”.

“A keni parë përgjithësisht ndonjë raport të BE-së, ku thuhet se zotëri Thaçi ka bërë një deklaratë të tillë në ndonjë prej mediave qoftë të shtypura apo vizuale, që të jetë raportuar se zotëri Thaçi ka thënë një gjë të tillë?”, ka thënë Gregory Kehoe – avokat i Hashim Thaçit.

“Unë e kam përsëritur përgjigjen disa herë tani, kjo më është raportuar dhe mund ta thjeshtoj edhe më shumë përgjigjen dhe mund të them se ajo është e bazuar në thashetheme, në gjëra që kam dëgjuar”, ka thënë Francis Ledwidge – dëshmitar.

Ish-oficeri britanik i Inteligjencës, që ka qenë monitorues i OSBE-së në Kosovë gjatë luftës, tha se gjatë konfliktit ka pasur elemente kriminale që vinin nga Shqipëria dhe përfitonin nga situata e kaosit.

Ledwidge ka folur edhe për komunikimin që ka pasur me persona të ndaluar nga UÇK-ja, e që ishin konsideruar informatorë të Serbisë. 

“Në përgjigje të një pyetjeje që unë bëra... deklaratat që i kishit marrë sa i takon zotëri Krasniqi dhe se si i kishte trajtuar ai informatorët, përgjigjja ishte se ata ishin të impresionuar me mënyrën si i kishte trajtuar zotëri Krasniqi, a është e vërtetë kjo?”, ka thënë Aidan Ellis – avokat i Jakup Krasniqit.

“Po, përshtypja në të gjitha diskutimet ka qenë e tillë sa u takon njerëzve në Rahovec në raport me atë që thoshin për sjelljen e zotëri Krasniqit”, ka thënë Ledwidge.

Të mërkurën Ledwidge përfundoi dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara me seli në Hagë, dhe pas tij ka bërë betimin dëshmitari i radhës, të cilit nuk i është shfaqur identiteti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat