​U dëgjuan 15 dëshmitarë, Specialja merr vendim: Ja kur rikthehet gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Aktuale

​U dëgjuan 15 dëshmitarë, Specialja merr vendim: Ja kur rikthehet gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Më: 20 korrik 2023 Në ora: 06:48 Përditësuar në ora: 11:20 më 20.07.2023
Thaçi dhe të tjerët

​U dëgjuan 15 dëshmitarë, gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve rikthehet pas tri javësh

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, e ka përfunduar dëshminë e tij dëshmitari i pesëmbëdhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve. Ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë vendosur të mos parashtrojnë kundërpyetje për këtë dëshmitar.

Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe në fillim të seancës deklaroi se deri te ky vendim erdhi si rezultat i situatës së djeshme.

Në seancën e së mërkurës dëshmitari në fjalë shpesh herë nuk i ka kuptuar pyetjet që i ka parashtruar ZPS rreth disa dokumenteve.

Madje, ai ka thënë se ka probleme pasi sipas tij vuan edhe nga diabeti.

Kehoe: Ekipet mbrojtëse nuk do të parashtrojnë kundërpyetje për dëshmitarin

“Sa i takon kundër-pyetjeve të këtij dëshmitari ne u konsultuam me njëri tjetrin dhe bashkë me kolegët në këtë pikë asnjë nga ekipet e mbrojtjes nuk do të bëjë pyetje këtij dëshmitari. Më duhet tu them që ky vendim u morë si rezultat e situatës së djeshme pasi pamë dëshmitarit. Nëse është nevoja mund t’i bëjmë kundër-pyetjet por bashkërisht morëm vendim që askush nuk do t’i bëjë pyetje këtij dëshmitari”, ka deklaruar ai.

Por, për dallim nga mbrojtja, trupi gjykues ka pasur disa pyetje për dëshmitarin i cili pretendon se vëllai i tij ishte ndaluar nga anëtarë të UÇK-së në vitin 1998, në Drenoc.

Gjykatësi Metro e ka pyetur dëshmitarin nëse i kanë raportuar diku ato që pretendojnë se u kanë ndodhur.

Metro: Pasi ndodhën këto ngjarjet kur iu morën vëllain edhe çdo gjë tjetër gjatë asaj periudhe, ti a u përpoqe t’i tregoje ndokujt apo të raportoje ndokujt këtë që i ndodhi të afërmit tuaj?

Dëshmitari: Po.

Metro: A mund të na tregosh kujt ia tregova këto ngjarje?

Përgjigjet e dëshmitarit lidhur me këtë janë transmetuar me përmbajtje të redaktuar për publikun.

Me përfundimin e kësaj dëshmie, Gjykata Speciale i ka përfunduar seancat për këtë sezon ndërsa procesi gjyqësor do të vazhdojë nga data 14 gusht.

E ish-krerët e UÇK-së seancën e sotme gjyqësore e kanë ndjekur nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes.

Deri më tani në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve kanë dëshmuar pesëmbëdhjetë dëshmitarë të ZPS-së, pothuajse të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

Dëshmia publike dhe pa masa mbrojtëse ka ardhur vetëm nga ish-komandanti i Zonës operative të Llapit, Rrustem Mustafa si dhe një oficer i ushtrisë britanike i cili ka shërbyer gjatë luftës në Kosovë, në kuadër të misionit të OSBE-së.

Gjykimi kundër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse, ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Dëshmitari i 15-të vazhdon dëshminë e tij edhe sot në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Dëshmitari i 15-të me radhë (me kodin 04586) në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po vazhdon dëshminë e tij edhe gjatë seancës së të enjtes.

Ndryshe në seancën e së mërkurës u lexua përmbledhja e deklaratës së tij nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS).

Ndërkaq, nga ZPS nuk ka pasur pyetje për dëshmitarin e pyetjet nga mbrojtësi i viktimave kanë qenë me përmbajtje të redaktuar.

Por, pasi që gjatë asaj seance dëshmitari ka treguar se ka probleme shëndetësore, me fillimin e seancës së sotme, ekipet e mbrojtjes kanë deklaruar se janë dakorduar se nuk do t’i bëjnë pyetje dëshmitarit me kodin 04586.

Kurse, trupi gjykues ka bërë të ditur se do të bëjnë pyetjet e tyre.

Seanca po vazhdon në sesion publik.

Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith ka dhënë një urdhër me gojë me të cilin kanë vendosur që të shtyhen afatet për përgjigje për ekipet mbrojtëse lidhur me mocionin e dytë të prokurorisë sipas rregullës 155 dhe atë për 20 ditë nga shpërndarja e mocionit.

Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill,  12 prill,  13 prill dhe më 17 prill.

Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.

Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e  dëshmitarit i nëntë.

Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i 11-të i cili e ka përfunduar dëshminë e tij më 20 qershor. E më 10 korrik ka filluar dëshminë dëshmitari i 12-të, i cili ka përfunduar dëshminë më 11 korrik, në seancën ku ka filluar dëshminë Rrustem Mustafa, ish-komandat i zonës operative të Llapit.

Mustafa ka vazhduar dhënien e dëshminë së tij në seancën e 12, 13, 14, 17 dhe 18 korrikut.

Ndërsa dëshmitari i 14-të me radhë, Francis Ladwidge, oficeri britanez që shërbeu në Kosovë filloi dëshminë po më 18 korrik dhe e mbaroi më 19 korrik, ku nisi dëshminë dëshmitari i 15-të.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. 

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sot dita e fundit e gjykimit në Speciale para pushimit veror

Dita e sotme në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në rastin gjyqësorë “Thaçit dhe të tjerët” është e dita e fundit para se të fillojë pushimi veror.

Sipas kalendarit të punës së Dhomave Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, pushimi veror fillon më 24 korrik, ndërsa seancat do të fillojnë më 14 gusht.

Gjatë muajit gusht janë paraparë të mbahen shtatë seanca në rastin gjyqësor “Thaçit dhe të tjerët”, ndërsa në rastin “Shala’, do të mbahen pesë seanca.

Ndryshe dje ka filluar të dëshmojë, dëshmitari i 15-të i ZPS-së i mbrojtur me kodin W04586, ai ka dëshmon për vdekjen e anëtarit të familjes së tij gjatë periudhës përkatëse. Dëshmitari dje ka dëshmuar përmes videolidhjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat