Neziri: Vizita e Kurtit më shumë ngjalli reagime se sa që promovojë agjendën

Aktuale

Neziri: Vizita e Kurtit më shumë ngjalli reagime se sa që promovojë agjendën

Më: 17 gusht 2023 Në ora: 12:38
Vizita e kryeministrit Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut

Vizita e kryeministrit Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut, ka luhatur marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, thotë njohësi  i zhvillimeve politike në Maqedoninë e Veriut, Xhelal Neziri. Në një intervistë të shkurtër për Radio Kosovën Neziri thotë se kjo vizitë duket që më shumë kishte për qëllim të ngjallë reagime, sesa të promovojë agjendën.

Z. Neziri si e shihni vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Tetovë dhe Shkup?

Xhelal Neziri: Mendoj se ishte vizitë e organizuar keq, për shkak se u la nën hije qëllimi  i kësaj vizite. U la nën hije emërtimi  i rrugës me disidentin Adem Demaçi dhe u la nën hije rikujtimi për projektin e moçëm të rrugës Prizren-Tetovë. Tash duket që qëllimi  i organizatorëve, por edhe  i vetë Kurtit, ishte që më tepër të ngjallë reagime, sesa të promovojë qëllimet e vizitës së tij. Pastaj edhe një element tjetër ishte qasja e tij selektive në bërjen e agjendës së vizitës së kryeministrit Kurti. Kjo qasje nënkupton takime me disa liderë shqiptarë që janë në opozitë, duke përjashtuar të gjitha institucionet dhe partitë e tjera relevante në Maqedoninë e Veriut. Kjo më shumë  i dha karakter partiak kësaj vizite sesa shtetëror. Mirëpo, duhet të merret parasysh që nga koha kur Z. Kurti është emëruar kryeministër  i Kosovës, ai është privuar nga e drejta që të përfaqësojë partinë e tij, sepse për shkak sesi kryeministr  i Kosovës, çdo vizitë jashtë shtetit, ai përfaqëson të gjithë qytetarët e Kosovës.

Dje është ngritur kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës së Tetovës dhe asaj të Çairit. Si e shihni si situatë?

Xhelal Neziri: Mendoj se është reagim  i tepruar, sepse aty përmendet mosrespektimi  i ligjit të simboleve shtetërore, gjë që nuk është e saktë, për shkak se flamuri shtetëror ka qenë  i vendosur edhe në Tetovë edhe në Çair, prandaj nuk ka bazë që të ketë asi reagimi. Më tutje përmendët edhe himni shtetëror  i Maqedonisë së Veriut, gjë që për shkak të karakterit të vizitës dhe për shkak të mungesë së autoriteteve shtetërore të Maqedonisë së Veriut në këto tubime, ai nuk është intonuar sepse edhe nuk është  i pranueshëm për shqiptarët etnik. Këto reagime janë më shumë si përgjigje ndaj asaj sesi z. Kurti realizoi vizitën e tij duke anashkaluar në tërësi të gjitha autoritete shtetërore.

Marrë parasysh reagimet e liderëve më të lartë të Maqedonisë së Veriut, pas vizitës së kryeministrit Kurti, a mund të ketë ndryshime të kursit politik ndërmjet dy vendeve?

Xhelal Neziri: Unë mendoj që kjo vizitë ka luhatur në masë të madhe marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, të cilat deri tani janë llogaritur si shumë të mira. Pra, nëse merrni edhe barrierat tregtare, të cilat Kosova  i ka me vendet e tjera, me Maqedoninë e Veriut ka pak barriera tregtare. Shkëmbimi tregtar, bashkëpunimi ne nivel shtetëror, por edhe në nivel të partive politike ka qenë shumë  i ngjeshur. Kjo vizitë ka luhatur raportet ndërmjet dy vendeve, për shkak se i ka bërë të ndihen të vyer disa figura por edhe parti politike që janë faktorë në Maqedoninë e Veriut. Por mendoj se qëllimi  i kësaj vizite ka qenë  i mirë dhe mendoj se nuk ka ndonjë problem real, përveç atij diskursiv për opinionin politik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat