Tensionet në veri, kush është turku që merr drejtimin e KFOR-it në Kosovë

Aktuale

Tensionet në veri, kush është turku që merr drejtimin e KFOR-it në Kosovë

Më: 10 tetor 2023 Në ora: 18:52
Özkan Ulutaş

Të martën merr detyrën e komandantit i ri i KFOR-it, gjeneralmajori turk Özkan Ulutaş për ta pasuar italianin Angelo Ristuccia.

Ai do të udhëheq KFOR-in në një mandat 1-vjeçar në kohën e tensioneve në veri të Kosovës.

Pas sulmit të Banjskës është marrë vendim për shtimin e trupave të KFOR-it në Kosovë. 200 ushtarë të ushtrisë britanike tashmë kanë arritur në Kosovë si përforcim i KFOR-it.

Kështu ka bërë të ditur Shtabi Suprem i Fuqive Aleate në Evropë përmes një postimi në platformën “X”.

Edhe Rumania do të dërgojë 100 trupa shtesë. Ardhja e turkut Ulutas në krye të KFOR-it nuk i ka pëlqyer fare Serbisë. Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, tha se Turqia është një promovuesit dhe mbështetësit më të mëdhenj të shtetit të Kosovës. Madje ai e ka quajtur Turqinë furnizues kryesor të armatosjes së FSK-së dhe përkrahëse e madhe e transformimit të saj në ushtri.

Edhe ish-diplomatët serbë konsiderojnë se Serbisë “nuk i shkon fare për shtati” që një gjeneral turk të kryesojë me KFOR-in. Derisa mediat e huaja raportojnë për raporte të mira ekonomike Ankara-Beograd, si dhe përmendin raportet me Prishtinën dhe furnizimin nga Turqia me dronë Bajraktar.

Turqia renditet e dyta midis 27 vendeve anëtare të NATO-s, për sa i përket kontributit me personel.

Tensionet në veri kanë nisur që kur u dorëhoqën policët serbë në veri për të kulmuar me 24 shtator, pas një sulm nga një grupi të armatosur rëndë ndaj njësiteve policore të Kosovës, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku dhe tre pjesëtarë të këtij grupi. Përgjegjësinë për organizimin e këtij grupi e ka marrë Milan Radoiçiç, ish-nënkryetari i partisë më të madhe serbe në Kosovë, Listës Serbe.

Lexoni më poshtë historikun e komandantit të ri të KFOR-it, Ozkan Ulutas, e cila i është shpërndarë sot mediave pas ceremonisë së mbajtur në kampin “Film City”, në Prishtinë: 

“Gjeneralmajor Ozkan Ulutas ka lindur në vitin 1967 në Salihli të Manisës. Ka mbaruar shkollën e mesme ushtarake Kuleli në vitin 1985 dhe Akademinë Ushtarake Turke në vitin 1989.

Në karrierën e tij ushtarake ka mbajtur poste të ndryshme të rëndësishme si komandant, shef shtabi, oficer shtabi dhe drejtues në shtabe dhe institucione të ndryshme.

Gjeneralmajor ULUTAS u diplomua në Akademinë Ushtarake të Ushtrisë në vitin 2002 dhe në Akademinë e Forcave të Armatosura në vitin 2012. Gjithashtu, në vitin 2011 ai përfundoi një Kurs të Studimeve Strategjike në Republikën Popullore të Kinës. Ai është duke kryer studimet e doktoraturës në Departamentin e Historisë në Universitetin Ataturk si kandidat për doktoraturë.

Gjeneralmajor Ulutas shërbeu si vëzhgues ushtarak i OKB-së për misionin UNIKOM në kufirin Kuvajt-Irak nga viti 1999 deri në vitin 2000.

Ai gjithashtu punoi me NATO-n, duke përfshirë Komandën e Forcave të Përbashkëta (JFCNP) në Napoli, Itali nga 2005 deri në 2008, dhe Komandën Aleate të NATO-s Transformimi në Norfolk, SHBA nga 2015 në 2017.

Ai u promovua në gradën e Gjeneral Brigade në 2017 dhe shërbeu si Shef i Shtabit të Trupave të Shpejtë të Dislokueshme të NATO-s (NRDC-Turkiye) në Stamboll nga 2017 deri në 2021.

Së fundmi ai ishte shef i Departamentit të Strategjisë së Shtabit të Përgjithshëm Turk nga 2021 deri në 2023 dhe u promovua në gradën Gjeneral Major në 2023.

Gjeneralmajor Ulutas është i martuar dhe ka dy fëmijë. Ai flet anglisht”.

Ndryshe, gjenerali italian, Angelo Michele Ristucca, sot ia ka dorëzuar komandën e KFOR-it gjeneralit turk, në një ceremoni të mbajtur në kampin “Film City” në Prishtinë.

Mandati i komandantit të ri turk të KFOR-it do të jetë njëvjeçar. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat