Krasniqi: Hetemi vazhdon të qëndrojë në zyrë, është afër të nxjerrë dy vendime të reja

Aktuale

Krasniqi: Hetemi vazhdon të qëndrojë në zyrë, është afër të nxjerrë dy vendime të reja

Më: 12 tetor 2023 Në ora: 11:22
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka thënë se Lulzim Hetemi, kryetari i Komunës së Leposaviqit, vazhdon të qëndrojë brenda objektit komunal edhe pas gati pesë muajsh.

Kryetari i zgjedhur i Leposaviqit, kishte hyrë në objektin komunalë më 29 maj të këtij viti dhe që prej atëherë ndodhet i ‘ngujuar’ brenda zyrës.

I pyetur sot në një konferencë për media rreth situatës së Hetemit, ministri Elbert Krasniqi tha se “ai është në nivel të detyrës”.

“Sigurisht, ai është në nivel të detyrës dhe në zyrë. Unë besoj që ai është duke e bërë një punë të mirë. Duhet të vlerësohen vendimet që ai i ka ndërmarrë”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se Hetemi është afër të nxjerrë dy vendime të reja, të rëndësishme, të cilat do t’i kontribuojnë qytetarëve të Komunës së Leposaviqit.

“Në takimin tim të fundit me të, unë kuptova që tashmë është shumë afër që edhe buxhetin e Komunës së Leposaviqit ta vendos në të mirë të qytetarëve dhe shumë shpejt do të vazhdoj me një skemë të subvencionimit të bujqve në Komunën e Leposaviqit”, u shpreh Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat