Qeveria miraton disa nisma për lidhje të marrëveshjeve ndërkombëtare

Aktuale

Qeveria miraton disa nisma për lidhje të marrëveshjeve ndërkombëtare

Më: 8 nëntor 2023 Në ora: 12:23
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka marrë një sërë vendimesh. Ekzekutivi miratoi gjashtë vendime për shpronësim të pronave të paluajtshme të cilat pritet të shfrytëzohen për realizim të projekteve të ndryshme. Qeveria iu dha dritën e gjelbër edhe disa nismave për marrëveshje ndërkombëtare me shtetin e Luksemburgut. Po ashtu miratuan plotësim-ndryshimin e marrëveshjes për ekstradim ndërmjet Kosovës dhe Italisë. Krahas këtyre, emëruan Bislim Bislimin sekretar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për një mandat katër vjeçar.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se marrëveshja me Qeverinë e Luksemburgut për zhvillim të shkathtësive për punë të qëndrueshme do të lidh arsimin me punësim.

Nagavci: Lidhja e arsimit me punësimin është një prej prioriteteve të qeverisë sonë

“Lidhja e arsimit me punësimin është një prej prioriteteve të qeverisë sonë. Ky projekt pritet të ketë një impakt pozitiv dhe rezultate konkrete. Në rrafshin socio ekonomik ky projekt do të kontribuoj me rritjen ekonomike të Kosovës përmes modernizimit dhe mbështetjes së sektorit të arsimit dhe aftësimit profesional dhe reformave të tij”, tha ajo.

Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se kanë identifikuar disa pengesa në marrëveshjen aktuale për ekstradim mes Kosovës dhe Italisë, andaj po i adresojmë përmes plotësim-ndryshimit të saj.

Haxhiu: Kemi identifikuar disa pengesa në marrëveshjen aktuale

“Bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Italisë në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar është dëshmuar vital në luftimin e krimit dhe sjelljen e të kërkuarve për vepra penale para organeve të drejtësisë. Ne me këtë ndryshim po synojmë të thellojmë këtë bashkëpunim. Në traktatin aktual kemi identifikuar disa sfida dhe pengesa andaj kemi adresuar përmes ndryshimit që po e prezantoj sot”, theksoi Haxhiu.

Kabineti qeveritar miratoi vendimin për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizmi i projektit “Ndërtimi i ndërtesës administrative për nevoja të Ministrisë së Financave, punës dhe transferove, Administratës Tatimore të Kosovës dhe Doganave të Kosovës”, në Prishtinë.

Qeveria gjithashtu ka miratuar kërkesën e Komunës së Dragashit, për dhënien në shfrytëzim për 15 vjet të dy parcelave me sipërfaqe prej 18 mijë e 600 metrash katror, të menaxhuara nga Agjencia Pyjore e Kosovës. Këto prona do të shfrytëzohen për ndërtimin e pikës grumbulluese të mbeturinave komunale për nevoja të fshatit Restelicë.

Po ashtu miratoi edhe Projektligjin për mbrojtjen nga zjarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat