​Vala e privatizimit, AKP pranon 59 oferta për 31 asete në vlerë mbi 2 milionë euro

Aktuale

​Vala e privatizimit, AKP pranon 59 oferta për 31 asete në vlerë mbi 2 milionë euro

Më: 29 nëntor 2023 Në ora: 17:21
Foto nga takimi

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) sot shpalli fituesit e përkohshëm për shitjen e 31 aseteve të ndërmarrjeve shoqërore numër 64 përmes metodës së likuidimit, për të cilat u pranuan 59 oferta në vlerë të përgjithshme 2 milionë e 212 mijë e 467 euro.

Muharrem Arifi, ushtrues detyre i zëvendësdrejtorit ekzekutiv - operativë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, njoftoi se deri më tani janë privatizuar 2.913 asete, ndërsa në Fondet e Mirëbesimit janë grumbulluar gjithsej 784 milionë e 114 mijë e 302 euro.

“Shuma e fondeve e aprovuar nga Bordi i Agjencisë për shpërndarje te kreditorët e ligjshëm deri më 31 tetor 2023, është 62 milionë e 684 mijë e 180 euro për 303 ndërmarrje shoqërore. Pagesat ndaj kreditorëve të ndërmarrjeve shoqërore deri më 6 tetor 2023 janë bërë në shumën 61 milionë e 389 mijë e 539 euro”, tha Arifi.

Sa i përket shpërndarjes së 20 përqindëshit, Arifi tha se AKP-ja po vazhdon me miratimin e listave dhe shpërndarjen e shumës së 20% të të hyrave nga shitjet e aseteve për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore.

Ai bëri të ditur se deri më tani janë shpërndarë 163 milionë e 379 mijë e 229 euro, ndërsa numri i përgjithshëm i përfituesve të 20% është 52.100 ish-punëtorë.

Ndryshe, Agjencia Kosovare e Privatizimit është themeluar nga Kuvendi i Kosovës dhe ka mandatin e autoritetin për shitjen ose bartjen e ndërmarrjeve shoqërore dhe aseteve të tyre tek investitorët privatë përmes një procesi transparent.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat