Dëshmitari rrëfen ditën e vrasjes në Baks të Skënderajt: Ka qenë si në luftë, ka pasur shumë të shtëna

Aktuale

Dëshmitari rrëfen ditën e vrasjes në Baks të Skënderajt: Ka qenë si në luftë, ka pasur shumë të shtëna

Më: 12 dhjetor 2023 Në ora: 09:32
Foto ilustrim

Lulzim Gjaka, në cilësinë e dëshmitarit, ka deklaruar se në ditën kritike kishte qenë si në luftë pasi kishte pasur shumë të shtëna.

“Ka qenë si në luftë, ka pasur shumë të shtëna”, tha dëshmitari.

Një deklarim të tillë, dëshmitari Gjaka e bëri të hënën në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, në gjykimin ndaj të akuzuarve Shukri dhe Rexhep Rexhepi, të cilët në bashkëkryerje po ngarkohen për vrasje të rëndë të viktimës B.M, në vitin 2022 në fshatin Baks të Skenderajt. Kurse, Fiton Musliu ngarkohet për vrasje të mbetur në tentativë dhe Agim Musliu për armëmbajtje pa leje.

Ai tha se është dhëndër i familjes Musliu, dhe se te kjo familje kishte shkuar që ta përcjellte mikun – vëllanë e gruas së tij, tani të ndjerin B.M, i cili të nesërmen kishte për të shkuar në Gjermani.

I pyetur nga prokurorja Fetije Bajrami, dëshmitari tha se gjatë kohës sa ishte atje, kishte ardhë një automjet me shpejtësi të madhe dhe se aty kishte qenë me fëmijë.

Gjaka tha se i akuzuari Agim e kishte ndalur veturën dhe u ka thënë fëmijëve që gjendeshin brenda saj t’ia dërgonin babait të tyre veturën, pasi në veturë kanë qenë disa fëmijë dhe vozitësi i automjetit ka qenë po ashtu fëmijë.

Sipas tij, pas kësaj kishte ardhë i akuzuari Rexhep me automjet dhe ishte i njëjti automjet të cilin më herët e kishin pasur fëmijët dhe pasagjeri kishte dalë nga vetura me armë – automat, dhe ka filluar të gjuante në drejtimin të tyre.

I pyetur se a ka parë nëse ishte qëlluar dikush me armë në ato momente, dëshmitari tha se nuk ka parë pasi i kishte fshehur fëmijët brenda oborrit, dhe kur ka dalë në rrugë, e ka parë tani të ndjerin B.M që e kishte qëlluar plumbi në krah, kishte qenë i shtrirë në tokë, dhe njëri nga mjeshtrit që kishte punuar tek tani i ndjeri B., ka qenë i shtrirë në tokë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Rexhepi, avokati Mahmut Halimi e ka pyetur dëshmitarin se a ka dëgjuar ose a ka parë ndonjë të shtënë tjetër përveç atyre nga personi me automat. Ai u përgjigj se kishte dëgjuar edhe një të shtënë nga ana e Fitonit me armë gjuetie.

Mbrojtësi i të akuzuarit Rexhep Rexhepi, avokati Shyqyri Syla e ka pyetur dëshmitarin se a e ka parë momentin kur shoferi del nga vetura, pasi njëherë kishte thënë se shoferi nuk kishe dalë nga vetura, ndërsa në një përgjigje kishte thënë se e ka parë duke shkuar në këmbë në drejtimin nga ka ardhë.

Gjaka tha se kur ka dalë jashtë oborrit pasi i kishte fshehur fëmijët, e ka parë Rexhepin duke u larguar në këmbë në drejtimin nga ka ardhur, ndërsa momentin kur ka dalë nga vetura nuk e ka parë.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Fiton Musliu, avokati Gani Rexha e ka pyetur dëshmitarin si ka vepruar në momentin kur i akuzuari Fiton e ka vërejtur tani të ndjerin B.M., të plagosur dhe gjakosur në shpinë, dhe të shtrirë në tokë.

Ai tha se e kishte parë reagimin e Fitonit, ky i fundit sipas tij ka bërtitur shumë dhe thotë se ka menduar se kishte luajtur nga mendja, dhe pas kësaj Fitoni ka shkuar që ta marrë armën e gjuetisë në shtëpinë e tij, e cila është në një distancë prej 15m nga vendi i ngjarjes.

Ndërsa, kryetari i trupit gjykues, Mentor Hajraj ka pyetur dëshmitarin se kur Fitoni ishte larguar për në shtëpinë e tij, për sa kohë ishte kthyer. Gjaka u përgjigj se i njëjti ishte kthyer për 2-3 minuta.

Tutje, anëtari i trupit gjykues, Ali Kutllovci e ka pyetur dëshmitarin se meqë tha se ka qenë si në luftë, ta sqarojë gjuajtjen, e dëshmitari u përgjigj se ishte gjuajtje një nga një (jo rafall).

Dëshmitari tha se në momentin kur Musliu ka shtënë në drejtim të të pandehurit Shukri Rexhepi, ky i fundit kishte qenë përballë Musliut.

Fillimisht, kryetari i trupit gjykues Mentor Hajraj kërkoi nga palët dhe publiku pjesëmarrës në seancë që ta respektojnë punën e gjykatës, dhe sqaroi që personat të cilët do të largohen nga seanca gjyqësore nuk do të lejohen që të marrin pjesë më në seancë.

Ai përmendi faktin se në seancën e kaluar ishte tensionuar situata nga përfaqësuesit e palës së dëmtuar në cilësi të publikut, ku njëri prej tyre ishte larguar nga salla por ishte pranuar të jetë prezent në pjesën e dytë të shqyrtimit gjyqësor, vetëm shkaku që zhvillimi i kësaj seance të jetë transparent.

Ndërsa, në seancën e sotme ishte një numër më i lartë i zyrtarëve policorë për ruajtje të sgurisë.

Ndryshe, i akuzuar në këtë rast ka qenë edhe Agim Musliu, ndaj të cilit ishte veçuar procedura pas pranimit të fajësisë për armëmbajtje pa leje.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 19 qershor 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Shukri Rexhepit, Rexhep Rexhepit, Fiton Musliut dhe Agim Musliut, raporton BetimipërDrejtësi.

Shukri dhe Rexhep Rexhepi akuzohen se më 23 korrik 2022, në fshatin Baks, Komuna Skenderaj, në bashkëkryerje, kanë privuar nga jeta viktimën B.M, si dhe kanë plagosur të dëmtuarin Labinot Ademi. Rasti thuhet se ka ndodhur pas një fjalosjeje. Kurse, Fiton Musliu akuzohet se me dashje ka filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes mirëpo që e njëjta ka mbetur në tentativë, pasi i njëjti ka shkrepur me pushkë të gjuetisë me qëllim që ta privojë nga jeta Shukri Rexhepin. Kurse, Agim Musliu thuhet se ka mbajtur në posedim armë të zjarrit- pushkë e gjuetisë në kundërshtim me Ligjin për Armë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat