​Bislimi: Kosova ofron ambient atraktiv të të bërit biznes

Aktuale

​Bislimi: Kosova ofron ambient atraktiv të të bërit biznes

Më: 12 dhjetor 2023 Në ora: 18:08
Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi mori pjesë në ngjarjen e zhvilluar në kuadër të publikimit të “White Book 2023” nga Këshilli i Investitorëve Evropianë, dokument ky i cili jep rekomandime e sugjerime strategjike nga burime të ndryshme e të sektorëve të ndryshëm brenda atij privat.

Në këtë event ishin prezent dhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, ambasadori i Francës, Olivier Guerot, ambasadorja e Sllovenisë, Minca Benedejçiq, shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog si dhe përfaqësues të tjerë diplomatikë.

Në fjalën e tij, Bislimi tha se Qeveria e Kosovës promovon objektivat e saj në rritjen e punësimit, rritjen e investimeve të huaja, duke përmendur këtu indikatorët makroekonomikë e sidomos ato që lidhen me rritjen e punësimit dhe investimeve të huaja, të cilat sipas tij, kanë shënuar rritje të dukshme.

“Rekomandimet e këtij publikimi do të shërbejnë si udhërrëfyes për të parë se në cilat fusha mund të bëhet më shumë. Kosova ofron ambient atraktiv të të bërit biznes dhe lehtësira e masa incentivuese si regjistrim të biznesit pa kosto administrative apo regjistrim i shpejtë i biznesit për vetëm dy ditë”, tha Bislimi.

Ai ka përmendur edhe hapa të tjerë për lehtësimin e ambientit të të bërit biznes, si mbajtja e normës së njëjtë të tatimit për korporata dhe të punësuarit, reforma për zvogëlimin e barrës administrative, si dhe thjeshtësimi i procedurave për dhënien apo marrjen e licencave.

“Përmes rritjes së performancës së administratës tatimore e doganore, kemi ulur në masë të madhe dhe informalitetin në ekonomi, e kjo nënkupton për bizneset që ka terren më të përshtatshëm e të barabartë të ambientit të të bërit biznes”, tha Bisimi.

Ai tha se themelimi i Gjykatës Komerciale mundëson trajtimin më të shpejtë të mosmarrëveshjeve ndërmjet bizneseve, ndërkohë që qasja në kredi apo financa është shumëfishuar, duke marrë si shembull vitin 2022 ku ka pasur mbi 2.9 miliardë euro kreditim të biznesit ose rreth 100% më shumë se 4 vjet më herët.

Ndryshe, aktualisht Kosova është në negociata për Planin e Rritjes, përmes të cilit planifikohet të ketë qasje në rreth 950 milionë euro të BE-së, ku pjesa më e madhe janë kredi të buta e që do të përdoren për projekte investuese, gjë e cila është në interes edhe për bizneset vendore dhe investitorët e huaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat