Paratë e falsifikuara, Kaçaniku: Të ketë inspektime e të kontrollohet kufiri

Aktuale

Paratë e falsifikuara, Kaçaniku: Të ketë inspektime e të kontrollohet kufiri

Më: 23 dhjetor 2023 Në ora: 12:08
Selatin Kaçaniku

Selatin Kaçaniku nga shoqata “Konsumatori”, ka deklaruar se paratë false në Kosovë janë bërë problem i madh.

Dhe, se kjo sipas tij ka ndodhur për shkak që ka pasur vonesë në reagime të shpejta.

“Natyrisht që është bërë një problem shumë i madh për arsye sepse ka vite e vite që po e durojmë këtë terror me para të falsifikuara qoftë në monedha metalike, qoftë në kartëmonedha. Me vonesën e reagimeve, me vonesën e ndërmarrjes së masave të duhura ne tash kemi probleme jo vetëm me 2 euro false, por edhe me 1 euro, 0.50 cent”, ka deklaruar ai.

Që të mos ndodhin këto probleme me para false, Kaçaniku thotë se reagimi i parë është dashur të bëhet në pikat kufitare.

“Ajo që është dashtë të bëhet ka qenë dashtë që të reagohet menjëherë dhe reagimi i parë është dashtë të bëhet në kufi, sepse këto para natyrisht që nuk kanë hyrë në rrugë bankiere por kanë hyrë në rrugë ilegale”, ka shtuar ai.

Ndërsa, ka edhe një apel për Qeverinë.

“Pra këto më nuk guxojnë të na ndodhin, pra kufiri duhet të ketë kontroll më të fortë, pro edhe qytetarin konsumator qeveria përmes mekanizmave dhe institucioneve që i ka duhet ta informojë, ta vetëdijësojë, ta mësoj për të qenë partner i shtetit siç po shihet inspektimet janë të mangëta dhe të pamjaftueshme”, është shprehur Kaçaniku.

Me Kodin Penal të Kosovës, kushdo që prodhon, vë në qarkullim, transporton, pranon, përdor ose posedon para të falsifikuara, me qëllim që t’i vendosë në qarkullim si të vërteta, dënohet prej 1 deri në dhjetë vjet burgim.

Më 29 nëntor të këtij viti Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) një operacion të përbashkët me Policinë e Kosovës, kanë arrestuar në flagrancë gjashtë persona, të cilët dyshohen për prodhim dhe vënie në qarkullim të parave të falsifikuara, konkretisht monedha metalike 2-euroshe.

Nga ky aksion, janë sekuestruar thasë me para në vlerë mbi 85 mijë euro

Nga janari deri në shtator të vitit 2023, në laboratorin e Agjencisë së Forenzikës u ekzaminuan mbi 35.000 monedha të falsifikuara dhe 2.209 kartëmonedha të falsifikuara.

Në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ekspertët e forenzikës ekzaminuan 9.309 monedha të falsifikuara dhe 645 kartëmonedha.

Në fillim të këtij muaji Banka Qendrore e Kosovës ka dalë me disa udhëzime pas shpeshtimit të rasteve të qarkullimit të parave të falsifikuara në tregun vendor.

BQK udhëzon bizneset që furnizimin me monedha ta bëjnë vetëm përmes bankave, monedhat e pranuara t’i verifikojnë para se të njëjtat t’i riqarkullojnë, të punojnë në vetëdijesimin dhe trajnimin e punonjësve dhe mënyrën e identifikimit të tyre.

BQK-ja vlerëson se të gjitha paratë origjinale në euro, pa përjashtim, janë mjet i vlefshëm pagese në Kosovë dhe se asnjë autoritet tjetër nuk mund të vendosë për ndalimin ose lejimin e asnjë instrumenti të ligjshëm të pagesave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat