Statusi i kandidatit për Kosovën, Presidenca belge: Do të kërkojmë konsensus në BE, të zbatohen marrëveshjet

Aktuale

Statusi i kandidatit për Kosovën, Presidenca belge: Do të kërkojmë konsensus në BE, të zbatohen marrëveshjet

Më: 5 janar 2024 Në ora: 11:11
Foto ilustrim

Në këtë fillimvit, Spanja ia pasoi udhëheqjen e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian një shteti përkrahës të Kosovës. Në këta gjashtë muaj, Belgjikës do t’i bie për hise të merret me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Europian që e dorëzoi dhjetorin e 2022-ës derisa Presidencën e BE-së po e udhëhiqte Republika Çeke. Por, a do ta kthejë Belgjika në shqyrtim kërkesën e Kosovës?

Presidenca belge në një përgjigje, ka dhënë sinjale pozitive se do të përpiqet që ambicien e Kosovës për t’u bërë vend anëtar i Unionit ta shtyjë përpara, por duke përmendur si kusht dialogun me Serbinë.

“Gjatë Presidencës së saj të vazhdueshme të Këshillit të Bashkimit Europian, Belgjika do të përpiqet për konsensus midis shteteve anëtare, duke marrë parasysh ndjeshmërinë e të gjitha vendeve anëtare dhe duke respektuar plotësisht metodologjinë e zgjerimit të BE-së”, ka thënë për Express, David Jordens, zëdhënës në Presidencën belge të BE-së.

Ai tha se Belgjika mbështet perspektivën e BE-së për Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën. Por, njoftoi se deri më tani s’është ndërmarrë asnjë hap në këtë drejtim – një drojë që e kishin shumë në Kosovë që prej kur kryeministri Kurti dorëzoi dosjen në Pragë.

“Që kur Kosova paraqiti kërkesën e saj për anëtarësim në BE gjatë Presidencës Çeke në dhjetor 2022, nuk janë ndërmarrë hapa të mëtejshëm. Deri më tani, nuk ka mundur të arrihet konsensus në Këshill për t’i kërkuar Komisionit Europian një opinion për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE”.

Belgët e bëjnë me dije se Kosova duhet të tregojë sukses në dialogun me Serbinë për të përmbushur synimet e saj për anëtarësim.

“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet vendimtar për të ardhmen e Kosovës në BE. Për të bërë përparim në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, në termat afatshkurtër dhe afatgjatë, Kosovës i duhet – njësoj si Serbisë – të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe pozitive në dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja dhe të përmbushë angazhimet e marra në marrëveshjet e kaluara”, tha ai.

Belgjika do të kryesojë për të 13-ën herë me radhë me Presidencën e BE-së, por kësaj radhe i ra në kohën kur do të mbahen zgjedhjet në BE mes datave 6-9 qershor.

Qeveria e Belgjikës ka përmendur prioritetet, me të cilat do të merret gjatë gjashtë muajve.

“Presidenca belge do të monitorojë proceset që janë në vazhdim e sipër me të gjitha vendet relevante, në përputhje me metodologjinë ekzistuese, bazuar në qasjen e meritave individuale, dhe progresin e secilit kandidat në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit. Do të inkurajojmë integrimin në BE duke promovuar reformat e domosdoshme transformative në fushat kyçe, posaçërisht sundimin e ligjit, institucionet demokratike, lirinë e mediave dhe të drejtat themelore”, thuhet në faqen zyrtare të Presidencës belge.

Qëndrimi i Spanjës

Derisa ishte në krye të Presidencës së BE-së, Spanja s’ishte përgjigjur se si do ta trajtojë një kërkesë nga një shtet, pavarësinë e së cilit ajo e kundërshton fuqishëm. Megjithatë, një burim diplomatik pati thënë për Express se e mbështesin punën e spanjollit Josep Borrell në ndërmjetësimin Kosovë-Serbi.

“Spanja mban qëndrimin e saj mosnjohës ndaj deklaratës së njëanshme të pavarësisë të miratuar nga Prishtina në vitin 2008. Ne mbrojmë nevojën që çështja e territorit të Kosovës të zgjidhet përmes dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Është koha për të bërë përpjekje përfundimtare për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Ne kemi një Përfaqësues të Lartë me interesim të madh për të ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit dhe ne mbështesim plotësisht punën e Përfaqësuesit Special Lajçak”, kishte thënë ky burim.

Qëndrimi i Suedisë

Derisa Kosova dorëzoi në muajin e fundit derisa Republika Çeke ishte duke kryesuar, Suedisë i ra më shumë të merrej me kërkesën e Kosovës.

Presidenca suedeze kishte thënë se do ta përkrahë Kosovën dhe pati thënë se kishte nisur konsultimet.

“Suedia mbështet proceset integruese të Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës në BE. Sa i përket aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, Presidenca suedeze me të vërtetë është duke vazhduar me konsultime. Megjithatë, ne nuk mund të komentojmë për përmbajtjen e këtyre konsultimeve për momentin”, kishte thënë një zyrtar suedez.

Më 15 dhjetor 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i kishte dorëzuar Çekisë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, duke thënë se ishte një datë historike për Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat