Zhvillimet e fundit, Kurti takohet me komandantin e KFOR-it – diskutojnë për sigurinë në vend

Aktuale

Zhvillimet e fundit, Kurti takohet me komandantin e KFOR-it – diskutojnë për sigurinë në vend

Më: 3 shkurt 2024 Në ora: 18:17
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ozcan Ulutas

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të shtunën me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ozcan Ulutas, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit të sigurisë.

Teksa ka njoftuar për takimin, misioni i NATO-s në Kosovë ka thënë se “komandanti i KFOR-it ka theksuar rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe efektiv me të gjitha institucionet e sigurisë, përfshirë KFOR-in dhe EULEX-in”.

“Komandanti konfirmoi se KFOR-i po e monitoron situatën nga afër dhe mbetet i gatshëm të veprojë në përputhje me mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes”, thuhet në njoftimin e KFOR-it në rrjetin social “X”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur drojën se Kosova rrezikon të përballet me tensione të reja, pas hyrjes në fuqi të rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit serb, me të cilën valutë Serbia paguan serbët në Kosovë.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka paralajmëruar se “mund të ketë pasoja që nuk janë menduar plotësisht“, teksa ka folur në lidhje me këtë rregullore të BQK-së, e cila ka hyrë në fuqi nga 1 shkurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat