​Pozitë e opozitë përplasen për çmimet e tokave, ministri Aliu mungon në komision

Aktuale

​Pozitë e opozitë përplasen për çmimet e tokave, ministri Aliu mungon në komision

Më: 27 shkurt 2024 Në ora: 14:06
Foto nga vendngjarja

Në Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike, ka munguar sërish ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu. Ky i fundit ishte i ftuar për raportim në lidhje me raportin e auditimit të performancës "Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021”. Me debate mes opozitës dhe pozitës është përcjell mbledhja e këtij komisioni, ku deputetët e opozitës kanë kërkuar që ky raport të shqyrtohet në seancë plenare, por një gjë të tillë e ka kundërshtuar Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetarja e komisionit, Hykmete Bajrami deklaroi se edhe në raportin e Komisionit Evropian thuhet që mbi 78 milionë euro janë kontrata të negociuara në 12 muajt e fundit.

Bajrami: Propozoj që ky raport të shkojë për shqyrtim në seancë

"Është një raport i auditimit dhe performancës që ne vet si Komision për Mbikëqyrje të Financave Publike i kemi kërkuar. Ka përfshirë periudhën e vitit 2021, kontratat e negociuara. Kjo çështje sot është një nga çështjet që po nxit debat, për shkak se edhe në raportin e Komisionit Evropian thuhet që mbi 78 milionë euro janë kontratat e negociuara vetëm në 12 muajt e fundit, ndërkohë që ne kemi pasur të detajuar analizën e 13 kontratave prej 26 gjithsej që janë lidhur pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Infrastrukturës. Pas disa tentativave, unë kërkoj që, propozoj që ky raport të shkojë drejtpërdrejt për shqyrtim në seancë”, deklaroi Bajrami.

Ndërkaq, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaqi tha se nuk do ta votojë këtë raport, pasi sipas tij, pa diskutimin e ministrit nuk duhet të dërgohet në seancë.

Thaqi: Nga fillimi i mandatit Liburn Aliu është target i opozitës dhe i disa mediave

“Pas gjyqit publik që i është bërë ministrit në këtë komision, pas atyre ofendimeve, fyerjeve dhe akuzave të pabaza, sikur unë të isha ministër nuk do të vija në këtë komision. Po shihet që vazhdimisht nga fillimi i mandatit ka qenë i target i opozitës dhe i disa mediave, ministri Liburn Aliu. Krejt kjo po ndodhë për arsye se dikush është mësuar të blejë toka nga shteti me 50 euro arin dhe ta shes për 5 mijë euro arin”, u shpreh ai.

Për këtë ka reaguar deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, e cila i tha se të njëjtit ia kanë shkruar fjalimin dhe se po bëhet “dallavergji”.

Bytyqi: Gabim ta kanë shkruar fjalimin

“Gabim ta kanë shkruar fjalimin, mos e lexo këta po duhesh me fol ata çka ti e mendon. Gabim e ki të shkruar, për besë, gabim e ke të shkruar. Gabim ta kanë shkruar fjalimin të cilin ti po e lexon. Të kisha propozuar me e çu dorën e mos të bëhesh dallavergji e me votu, e me dërgua raportin në seancë”, tha ajo.

Debati mes Bytyqit dhe Thaqit ka vazhduar edhe më tej, ku ky i fundit përmendi edhe skandalin e 53 milionë eurove.

Thaqi-Bytyqit: E keni pikë të dobët çështjen e pronës

“E di Albanë e keni pikë të dobët këtë çështjen e pronës, e keni pikë të dobët. E keni blerë 50 euro, e keni shitur 5 mijë euro arin shtetin tonë. Edhe po mbani këtu moral politik... Unë i kuptoj sepse nuk ka më skandale me 53 milionë euro, nuk ka pronë më që e shet shteti 5 mijë euro”, vazhdoi ai.

Bytyqi tha se ai e ka pikë të dobët Korporatën Energjetike të Kosovës, ku sipas saj, deputeti i LVV-së ka punësuar familjarë.

Në debatin mes Thaqit e Bytyqit është përfshirë edhe kryetarja e komisionit, Hykmete Bajrami, e cila tha se po vazhdon procesi i privatizimit.

Bajrami: Në Ministrinë e Infrastrukturës i keni dy ministra

“Po vazhdon procesi i privatizimit, mos manipulo, të lutem mos manipulo. Shihe Raportin e Progresit, faqe 72, mbi 78 milionë euro për 12 muaj të raportimit janë kontrata të negociuara. Kontratat e negociuara është me thirr një njeri që e njeh në telefon edhe me i thënë ‘eja ta jap tenderin 3 milionësh’. Kështu ka shkuar. Thaqi: Kurrë, nëse ke shkuar ti si ministre, ajo është diçka tjetër”. E ke të pamundur ta mbrosh ministrin, sepse në kabinetin e Ministrisë së Infrastrukturës i keni dy ministra, dy i keni, jo një, sepse është edhe Durmishi, u tha më tej.

Thaqi tha se nëse Bajrami ka informata të tilla duhet të ftohet nga Prokuroria e Shtetit për intervistim.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa tha se ministri Liburn Aliu po ikë nga kjo situatë për shkak të gjetjeve të raportit.

Beqa: Prokuroria e Shtetit ka më shumë punë me kontratat e negociueshme

"Ministri është frikësuar nga viti 2022 dhe 2023 se situata tek kontratat e negociueshme është vetëm duke u thelluar dhe kemi punë më shumë për Prokurorinë e Shtetit se sa për Zyrën e Auditorit, apo për Komisionin për auditimit", theksoi Beqa.

Debatet mes opozitës dhe pozitës kanë vazhduar edhe më tej, ndërkohë që deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë përkrahur propozimin që ky raport të dërgohet në seancë plenare për shqyrtim. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat