Mbyllet Samiti për Ukrainën në Tiranë, liderët e pranishëm realizojnë foton familjare

Aktuale

Mbyllet Samiti për Ukrainën në Tiranë, liderët e pranishëm realizojnë foton familjare

Nga: Bota sot Më: 28 shkurt 2024 Në ora: 07:21 Përditësuar në ora: 13:44 më 28.02.2024
Pamje nga Samiti në Tiranë

Mbyllet Samiti për Ukrainën në Tiranë

Ka përfunduar Samiti Ukrainë-Evropa Juglindore në Pallatin e Kongreseve.

 Pas mbylljes së punimeve, liderët e pranishëm në Samit kanë realizuar foton familjare.

Të pranishëm në foton familjare ishin liderët e Evropës Juglindore dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Kujtojmë që ky Samit ishte i rëndësishëm për shqiptarët.

Zelensky në Tiranë: Dështimi i regjimit të Putinit, është siguria jonë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky po qëndron për vizitë për herë të parë në Tiranë, ku po merr pjesë në Samitin e Ukrainës.

Në fjalën e tij para liderëve të vendeve të ndryshme të Ballkanit, Zelensky tha se është e rëndësishme që regjimi i presidentit rus, Vladimir Putin të dështoj.

“Në të kaluarën ka pasur njerëz që janë përpjekur të përcaktojnë fatin e kombeve të tjera, kjo ka ndodhur në Ballkan dhe në Evropën Lindore, tani Putini dëshiron të bëjë pikërisht këtë. Është e rëndësishme për vendet tona të lira që Putini dhe regjimi i tij të humbas, sepse dështimet e tij janë siguria jonë”, tha Zelensky.

Ai falënderoj kryeministrin Rama dhe Shqipërinë për të gjithë mbështetjen për Ukrainën si ushtarake ashtu edhe humanitare e politike.

“Edi e vlerësoj së tepërmi mikpritjen tuaj dhe këtë mundësi që po na e jepni që të diskutojmë së bashku sesi ne mund të fuqizojmë më tej vendet tona, rajonet tona dhe gjithë Evropën”, tha presidenti ukrainas.

Zelensky theksoi se çdo komb në Evropë që ruan parimet e komunitetit euroatlantik meriton të jetë pjesë e BE-së.

“BE dhe NATO i kanë ofruar Evropës epokën më jetëgjatë të paqes dhe sigurisë. Ju ftojmë që të merrni pjesë në samitin global të paqes që do të mbahet në Zvicër”, tha ai.

Zelensky shtoi se çdo komb mund t’ia dalë mbanë për të fituar mbi armikun.

“Jemi krenar që kemi mbi rreth 500 kompani që veprojnë mbi fushën e mbrojtjes, pro nuk mjafton kjo për të superuar Putinin. Ne propozojmë që të organizohet një forum i posaçëm midis Ukrainës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor qoftë në Kiev apo në njërin nga vendet tuaja”, tha në fund presidenti i Ukrainës. 

Nis samiti në Tiranë, Rama: Kombet e vogla si ne nuk duhet të bëhen ushqim për Rusinë, duhet mbështetur Ukraina

Ka nisur Samiti Ukrainë-Evropa Juglindore i cili po mbahet në Tiranë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama qysh në nisje të samitit, ka thënë se vendet e vogla, si ato të Ballkanit Perëndimor, duhet ta mbështesin Ukrainën.

“Më lini t’i kërkoj gjithkujt këtu të bashkohen me thirrjen time për të njohur rolin e tyre. Jetesa e Ukrainës si një popull i lirë, varet nga mbështetja financiare që ata ofrojnë. Ukraina nuk po lufton vetëm për vete. Ka disa cinikë që thonë se të ndihmosh Ukrainën, pengon kauzën e paqes. Por, nuk sjell paqe, duke çarmatosur viktimën e agresionit.” – është shprehur ai.

Rama ka thënë se kombet e vogla duhet ta mbështesin Ukrainën dhe nuk duhet “të kthehen në ushqim për Rusinë”.

“Kjo luftë është edhe për lirinë dhe dinjitetin tonë. Shqipëria ka bërë atë që mundet dhe do të vijojë ta bëjë një gjë të tillë. Jemi të vendosur për të qëndruar krah Ukrainës. Për kombe të vogla si ne, që nuk duhet të kthehen në ushqim për Rusinë, duhet mbështetur Ukraina.” – ka thënë ai.

Pamjet/ Osmani ia zgjat dorën së pari Zelenskyt, Vuçiqi Ramës

Në Tiranë po mbahet samiti për Ukrainën. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritën para objektit të sallës udhëheqës të vendeve të tjera që po marrin pjesën në këtë samit.

Atje ka arritur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.

Me të zbritur nga vetura zyrtare, ajo fillimisht ia zgjati dorën homologut ukrainas, e pastaj kryeministrit shqiptar.

Sidoqoftë, shumica e udhëheqësve të tjerë të vendeve, përfshirë presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, së pari e përshëndetën nikoqirin Rama, pastaj mysafirin Zelensky.

Ballafaqim me Vuçiqin në Samitin për Ukrainën? Osmani: Gjithmonë kemi, sepse jetojnë në të kaluarën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po merr pjesë në Samitin për Ukrainën, të organizuar në Tiranë.

Pasi u prit në tapetin e kuq nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, Osmani u ndal të flasë për gazetarët, të cilët e pyetën edhe nëse mund të ketë ndonjë ballafaqim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, i cili gjithashtu po merr pjesë në këtë ngjarje.

“Do keni ndonjë ballafaqim me presidentin serb?”, e pyeti Osmanin një gazetar.

“Gjithmonë kemi ballafaqime me ta, për fat të keq, sepse ata ende jetojnë në të kaluarën”, iu përgjigj presidentja.

Rama dhe Zelensky nisin Samitin për Ukrainën në Tiranë

Në Tiranë të Shqipërisë ka nisur samiti “Ukrainë – Evropa Juglindore”, ku liderët do të diskutojnë për çështje të sigurisë dhe për mbështetjen e Kievit në luftën e tij kundër pushtimit rus.

Samiti po mbahet me ftesë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe në të po merr pjesë edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Në samit po marrin pjesë edhe udhëheqës të Ballkanit Perëndimor. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që po merr pjesë në samit, tha se në të do të flasë për hapat konkretë që po ndërmerrë shteti për të mbështetur Ukrainën.

Vuçiq arrin në Tiranë i shoqëruar nga eskorta

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka arritur në Shqipëri i shoqëruar nga një eskortë.

Ai do marrë pjesë në Samitin e Ukrainës që zhvillohet sot në kryeqytet.

Gjithashtu mbrëmjen e djeshme ka mbërritur në Tiranë dhe presidenti Zelenksy, i cili ishte shoqëruar nga një eskortë me masa të rrepta sigurie.

Lideri ukrainas u prit në aeroport nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani. Në Rinas ishin të pranishëm edhe Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Kuvendin, Elisa Spiropali dhe ambasadori ukrainas në Tiranë, Volodymyr Shkurov.

Osmani në Tiranë: Jam e bindur që njohja e Kyivit do të vijë bashkë me fitoren e Ukrainës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha në tapetin e kuq në Tiranë para nisjes së Samitit për Ukrainën se njohja nga ky vend do të vijë.

Osmani tha fillimisht para gazetarëve se “do të jemi këtu deri në fitoren e Ukrainës”, ndërsa u pyet edhe nëse do t’i kërkojë presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky njohjen e pavarësisë.

“Këto janë çështje bilaterale. Ne gjithnjë e kemi bërë një kërkesë të tillë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë, me mirëkuptimin e plotë që Ukraina është në gjendje të jashtëzakonshme, në gjendje lufte, duke luftuar për lirinë e saj, për pavarësinë e saj dhe për vlerat që janë aq të rëndësishme për secilin prej nesh. Jam i bindur që ai moment do të vijë bashkë me fitoren e Ukrainës”, tha presidentja.

Samiti do të nisë pas pak dhe pjesëmarrës do të jenë disa liderë të Europës juglindore.

Kjo ngjarje e solli presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky për herë të parë në Tiranë.

Osmani pritet në Tiranë nga Rama e Zelensky, zbulon a do të kërkojë që Ukraina të njohë Kosovën

Liderët e shteteve të Evropës Juglindore kanë filluar të mbërrijnë në Samitin Ukrainë – Europa Juglindore”, që po mbahet në Tiranë të Shqipërisë.

Fillimisht kanë mbërritur dy nikoqirët e samitit, kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të cilët po mirëpresin homologët e tyre.

E para që arriti ishte presidentja e Moldavisë, e pasuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani, iu përgjigj pyetjeve, nëse do të kërkojë që Ukraina të njohë Kosovën.

“Ne gjithnjë e kemi bërë një kërkesë të tillë, do ta vazhdojmë ta bëjmë, por me mirëkuptimin e plotë për situatën ku është Ukraina. Jam e bindur se ai moment do të vijë, bashkë me fitoren e Ukrainës”, theksoi ajo.

Zelensky i dorëzon Ramës çmimin “Yaroslav i Urti”: Për kontribut të jashtëzakonshëm personal

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky i dorëzoi sot Kryeministrit Edi Rama çmimin “Jaroslav i Urti”, gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Shqipëri.

Para nënshkrimit të marrëveshjes dypalëshe në selinë e Kryeministrisë, presidenti Zelensky i dha çmimin kryeministrit Edi Rama.

“Me vendimin e presidentit të Ukrainës për kontribut të jashtëzakonshëm personal gjithashtu edhe për mbështetje i dorëzohet çmimi “Yaroslav i Urti”, kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama nga presidenti Volodymyr Zelensky”, thuhet në motivacionin që shoqëron këtë çmim.

Në vijim, Kryeministri Rama dhe Presidenti Zelensky nënshkruan Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit mes Republikës së Shqipërisë dhe Ukrainës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat