24 hektarët rreth Manastirit të Deçanit, vlerësohet se zbatimi i vendimit i takon Komunës

Aktuale

24 hektarët rreth Manastirit të Deçanit, vlerësohet se zbatimi i vendimit i takon Komunës

Më: 9 mars 2024 Në ora: 23:41
Foto ilustrim

Me kritika të shumta dhe debate është duke u përcjellur çështja e pronësisë të 24 hektarëve që gjenden përreth Manastirit të Deçanit. Njohës të çështjeve të drejtësisë vlerësojnë se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetueses që ia njeh pronësinë manastirit i takon komunës.

Me vite të tëra çështja e 24 hektarëve rreth Manastirit të Deçanit ka qenë në petkun e vëmendjes.

Herë për diskutimet se kush duhet ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili ia njeh pronësinë manastirit, e herë për pasojat nëse kjo nuk ndodhë.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, subjekti i të cilit qeverisë po këtë komunë, nuk ka kursyer së fundmi kritikat për Qeverinë.

Ai ka deklaruar Kryeministrit Albin Kurti t’i dalë zot vendimit dhe mos të ikë nga përgjegjësia ndaj tij.

Mirëpo, njohës të çështjeve të drejtësisë, vlerësojnë se Kushtetuesja obligon Komunën e Deçanit ta zbatojë vendimin.

“Gjykata Kushtetuese nuk ka mekanizëm për zbatimin e vendimeve të veta por çdo vendim lidhet me Kodin Penal të Republikës së Kosovës që nënkupton, autoritetet zyrtare të shtetit kanë për detyrë të gjitha vendimet e Gjykatave në bazë të nenit 16 të Republikës së Kosovës që ti zbatojnë. Me këtë kontekst, me këtë vendim, ka obligim të zbatojë, ta implementojë Komuna e Deçanit respektivisht departamenti i gjeodezisë dhe kadastrit”, tha Kadri Kryeziu, ish-nënkryetar Gjykatës Kushtetuese.

Kjo çështje, sipas Kryeziut, ka për t’i kushtuar vendit, nëse procesi zvarritet.

“Në parim, të gjitha vendimet e gjykatave të Kosovës duhet të zbatohen nga autoritetet e shtetit dhe kjo duhet të zbatohet për arsye se është pengesë për integrimin e Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë. Kjo është pengesë për integrimin e Kosovës në Këshillin e Evropës i cili është një institucion shumë me rëndësishëm për zhvillimin e Kosovës në të ardhmen dhe sipas mendimit tim, ky vendim duhet të zbatohet sa më shpejt”, tha Kryeziu.

Në vendimin e 20 majit të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës për 24 hektarët i dha të drejtë Manastirit të Deçanit.

E njëjta kishte refuzuar edhe kërkesat e kompanive “Apiko” dhe “Iliria” për vlerësimin e “ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë”, përkatësisht për “anulimin” dhe “revokimin” e vendimit të Gjykatës.

Zbatimi i vendimit të Gjykatës që kërkon transferimin e këtyre hektarëve tokë te Manastiri, vlerësohet se do të jetë vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat