​Mbledhja e Qeverisë së Kosovës, këto janë të gjitha vendimet që mori

Aktuale

​Mbledhja e Qeverisë së Kosovës, këto janë të gjitha vendimet që mori

Më: 13 mars 2024 Në ora: 18:59
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës sot ka zhvilluar mbledhje të rregullt, në të cilën ka marrë një sërë vendimesh, në mesin e të cilave edhe ndarjen e 76 mijë e 730 euro për zbatimin e masës 2.1 – subvencionimi i kredive investive të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Kabineti qeveritar ka miratuar Projektligjin për të Huajt, i cili rregullon kushtet e hyrjes, kalimit transit, qëndrimit dhe daljes së të huajve në dhe nga territori i Kosovës. Përmes tij synohet të adresohen sfidat bashkëkohore të migracionit duke paraparë masa gjithëpërfshirëse, të rrisë sigurinë kufitare, si dhe të promovojë integrimin e suksesshëm të të huajve në komunitetin tonë.

Qeveria ka miratuar vendimin për themelimin e Ndërmarrjes Publike Qendrore, “Korporata e Ruajtjes së Energjisë (KRE) në pronësi të Kosovës, me 100 % aksione të Qeverisë së Kosovës, si pjesë e zbatimit të marrëveshjes Kompakt të Sfidave të Mijëvjeçarit dhe programit të zbatimit, dhe me qëllim të mbështetjes për sigurinë energjetike dhe tranzicionin drejt një të ardhmeje më të pastër të energjisë.

Programi Kompakt parasheh krijimin e një entiteti që do të ketë në pronësi dhe do të menaxhoj 125MW të kapacitetit të sistemit të ruajtjes së energjisë me bateri. Ky entitet është vendosur të jetë një ndërmarrje publike, e cila themelohet si Shoqëri Aksionare, sipas ligjeve të Kosovës dhe financohet nga Programi Kompakt për pesë vjetët e para të operimit të saj.

Po ashtu, është miratuar vendimi preliminar për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme e cila preket nga realizimi i Projektit Konservimi dhe Restaurimi i Shtëpisë në Kompleksin Memorial “Masakra e Reçakut” në Shtime, si dhe vendimi preliminar për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme objekti i ish-Ndërmarrjes Shoqërore “Liria” në Prizren, e cila është e nevojshme për realizimin e Projektit “Krijimi i hapësirave për lëvizshmërinë e trafikut dhe këmbësorëve”.

Kabineti qeveritar ka miratuar nismën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për negocimin e marrëveshjes ndërkombëtare të partneritetit për “Menaxhimin e grant kontratës të asistencës teknike në kuadër të programit për bashkëpunim ndërkufitar Kosovë - Maqedoni e Veriut nën IPA III (2021-2027), e cila përcakton përgjegjësitë për zbatimin e asistencës teknike të programit për bashkëpunim ndërkufitar Kosovë - Maqedoni e Veriut.

Në mbledhjen e sotme janë miratuar edhe vendimi për rekomandimin e presidentes së Kosovës për autorizimin e ministrit të Financave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale”, si dhe vendimi për aprovimin e kërkesës së Akademisë së Shkencave dhe Arteve e Kosovës, për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumën prej 25 mijë euro për realizimin e projektit “Enciklopedia Shqiptare”.

Po ashtu, u miratua nisma e Ministrisë së Financave për negocimin e Marrëveshjes së Grantit në mes të Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve; Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Mitrovica dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin “Zhvillimi i Ujërave të Zeza në Mitrovicë”.

Kabineti qeveritar ka ndarë mjete buxhetore në shumë prej 520 mijë eurosh për financimin shtesë të projektit “Renovimi i kulmit dhe rikonstruksioni i hapësirave të brendshme në objektin e Institutit për Mjekësi Ligjore”.

Qeveria ka miratuar propozimin e Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës për blerjen e objekteve për nevojat e misioneve diplomatike të Kosovës në Paris, Romë, Otavë dhe Ankara, duke hapur kështu rrugën për fillimin e procedurave të blerjes, siç parashihet në legjislacionin në fuqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat