Ish-ministri: Të respektohet vendimi për Manastirin e Deçanit, opinioni ta vlerësojë Kurtin pse po i ndryshon qëndrimet

Aktuale

Ish-ministri: Të respektohet vendimi për Manastirin e Deçanit, opinioni ta vlerësojë Kurtin pse po i ndryshon qëndrimet

Më: 14 mars 2024 Në ora: 08:22
Sadri Ferati

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e tij i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për tokën e Manastirit të Deçanit.

Sipas kryeministrit kjo është bërë për shkak se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që kërkon transferimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit, do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.

Lidhur me këtë dhe çështje të tjera, ka folur ish-ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati.

Sipas tij, gjithmonë sa je në opozitë hapësira e manovrimit është më e madhe, derisa kur je në pushtet krijon përgjegjësi.

Ferati thotë se nëse atëherë nuk i ka gjykuar askush, tash do të fillojë vlerësimi i partnerëve lidhur me këtë vendim por edhe me vendime të tjera.

“Nëse atëherë askush nuk i ka gjyku pse po thonë ashtu, ndërsa tash mund të fillojë ngadalë- ngadalë vlerësimi i partnerëve dhe palëve të interesuara në raport me vendimet e caktuara. Edhe ky vendim tash që është në pajtueshmëri me vendimet e organeve kompetente në këtë rast si i fundit i Gjykatës Kushtetuese nuk është me e gjykua pse po ndodhë, por tash opinioni do ta vlerësojë që çka është mendimi i tyre, pse kur ishte në opozitë ka deklaruar ndryshe, ndërsa në pozitë po merr këso vendime”, është shprehur Ferati.

Ferati ka përmendur edhe atë se nëse ky vendim do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke thënë se kjo do të ishte e mirëseardhur.

“Në rend të parë është obligim i të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës që t’i respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese edhe të gjykatave të tjera, por sidomos i Gjykatës Kushtetuese sepse aty nuk ka rrugë më për ankimim, pra duhet të zbatohen me çdo rast. Dhe, nëse ky zbatim, pra i këtij vendimi dhe i shumë vendimeve të tjera krijon një drejtim të mirë për Republikën e Kosovës dhe një vlerësim pozitiv për Këshillin e Evropës kjo është aq më e mirëseardhur për shtetin dhe qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat