​Në Mal të Zi paralajmërojnë votë kundër pranimit të Kosovës në KiE

Aktuale

​Në Mal të Zi paralajmërojnë votë kundër pranimit të Kosovës në KiE

Më: 25 mars 2024 Në ora: 15:12
Foto ilustrim

Partia Demokratike Popullore (PDP) në pushtet në Mal të Zi e ka mbështetur deputeten e vet, Maja Vukiçeviq, si kryetare e delegacionit malazez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), për të votuar kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë.

“Përkrahja e plotë i është shprehur nënkryetares së partisë, Maja Vukiçeviq, kryetare e delegacionit malazez në APKE, që të votojë kundër pranimit të të ashtuquajturës Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, thuhet në deklaratën e partisë të publikuar më 24 mars.

PDP-ja është njëra nga anëtaret e Frontit Demokratik (FD) të shpërbërë prorus dhe proserb dhe përbën shumicën parlamentare në Mal të Zi, e cila udhëhiqet nga Lëvizja Evropa Tani, e kryeministrit Millojko Spajiq.

Kjo parti, e udhëhequr nga njëri prej liderëve të ish-FD-së, Millan Knezheviq, avokon për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, daljen e Malit të Zi nga NATO-ja dhe heqjen e sanksioneve kundër Rusisë.

Kur erdhi në pushtet në fund të vitit të kaluar, PDP-ja njoftoi se nuk do t'i ngrinte këto çështje.

Në marrëveshjen e koalicionit me Lëvizjen Evropa Tani të kryeministrit Spajiq, palët ndër të tjera u pajtuan që Qeveria të mos merrte vendime që do të vinin në pikëpyetje pavarësinë e Kosovës, sanksionet kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, dhe detyrimet ndaj NATO-s.

Kosova u njoh në vitin 2008 nga Qeveria e Partisë Demokratike të Socialistëve, Millo Gjukanoviq, e cila në gusht të vitit 2020 humbi zgjedhjet ndaj FD-së proserbe dhe proruse, Demokratëve dhe lëvizjes URA./REL/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat