​Ashpërsimi i gjobave në trafik, ekspertët skeptikë për efikasitetin e ligjit të ri

Aktuale

​Ashpërsimi i gjobave në trafik, ekspertët skeptikë për efikasitetin e ligjit të ri

Më: 27 mars 2024 Në ora: 17:48
Foto ilustrim

Ligji i ri për rregullat e trafikut, i cili do të hyjë në fuqi nga data 3 prill i këtij viti, parasheh gjoba të larta për shkelësit e rregullave në komunikacion. Ekspertët thonë se ligji, i cili synon rritjen e sigurisë rrugore, ka mangësi dhe shprehen skeptikë për zbatimin e tij, ndërsa qytetarët kërkojnë ashpërsimin e gjobave.

Eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti, ka thënë për KosovaPress se para hyrjes në fuqi të ligjit është dashur të fillohet me përdorimin e kamerave dhe radarëve mobilë dhe statikë, pasi problemi qëndron te identifikimi i personave që shkelin rendin dhe ligjin në trafik.

Ahmeti: Ligji i ri për trafikun nuk do të jetë efikas

“Ligji i ri për komunikacionin ka mangësi. Përveç se ka mangësi e kundërthënie, pjesa e ligjit është edhe problematike që fillimisht nuk kanë marrë masa të tjera, pastaj të rrisin çmimin e gjobave. Fillimisht është dashur radarë mobilë statikë dhe kamera nëpër qytet, në akse rrugore që ndryshe quhet inteligjencë artificiale, dhe nëse nuk kishte pasur ngritje të vetëdijes, dhe unë besoj fuqishëm që do të ketë pasur, atëherë do të kishim marrë masën e dytë preventive që do të ishte ngritja e çmimit të gjobave, sepse ne kemi problem t’i selektojmë personat, të cilët po shkelin rendin dhe ligjin në komunikacion, dhe jo me policë që nuk po dënojnë, sepse gjoba ka mjaftueshëm. 01:33 Prapë do të vazhdojmë ndoshta disa ditë, me disa reagime të vogla të policisë. Unë mendoj që efekti nuk do të mbërrihet,” tha Ahmeti.

Ndërsa, qytetari Shaip Dushi ka thënë për KosovaPress se gjoba prej 150 eurosh nuk është asgjë në krahasim me dëmin që mundet të shkaktohet në shëndet, si pasojë e mos përdorimit të rripit të sigurisë në trafik.

Dushi: Duhet shtrënguar ligjin për shkelësit e rregullave

“Gjobat në komunikacion nuk janë të larta. Për një rrip të sigurisë, që nuk e ke ngjitur gjatë vozitjes, ose ti apo pasagjeri, shkaktohet një aksident. Ndoshta ajo 150 euro gjobë nuk është asgjë në krahasim me dëmin që mund të shkaktojë në shëndet, si pasojë e mos ngjitjes së rripit...00:44 Në këtë formë duhet shtrënguar me ligj dhe dënime, ndoshta ‘dhunshëm’ do të vetëdijesohen, se kështu vetëm ‘hajt’ të vetëdijesohen, te ne nuk e kemi atë vetëdije,” ka thënë Dushi.

Po ashtu, Nol Sokoli i cili ka të njëjtin mendim thotë se gjobat nuk janë të larta pasi sipas tij, shumica e ngasësve përdorin telefonin gjatë ngasjes së veturës. Ai thotë se ligji i ri nuk do të gjejë zbatim në praktikë.

Sokoli: Ligjin e kanë miratuar, por nuk do ta zbatojnë

“Unë mendoj që gjobat, nuk është çmimi i lartë, sepse 90 për qind të vozitësve përdorin telefonin. I kam parë në semaforë brenda një minute, diku nëntë persona kanë pasur telefona në dorë. Nuk besoj që është gjobë e madhe, bile duhet t’i rrisin sistematikisht. Mendoj se ligjin e kanë sjellë, por nuk do ta zbatojnë,” ka thënë ai.

Ndryshe, sipas ligjit të ri, gjoba për mos vendosjen e rripit të sigurisë do të kushtojë 150 euro, përdorimi i telefonit gjatë ngasjes 100 euro për herën e parë dhe 500 euro për herën e tretë. Ndërkaq, për shpejtësi do të varet se sa do tëtejkalohet shpejtësia për kilometër në orë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat