Edhe serbët do të jenë pjesë e regjistrimit të popullsisë në Kosovë

Aktuale

Edhe serbët do të jenë pjesë e regjistrimit të popullsisë në Kosovë

Më: 3 prill 2024 Në ora: 23:50
Ilustrim

Hera e fundit që serbët e Kosovës kanë marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë ishte viti 1981. Atë kohë nga 1.6 milion banorë, thuhej se mbi 200 mijë janë serbë, shifër që vihet në pikëpyetje.

Më pas nisi bojkotimi i procesit nga shqiptarët, ndërsa pas luftës në vitin 2011 e vetmja herë kur u bë regjistrimi i popullsisë serbët e bojkotuan atë.

Regjistrimi i ri i popullsisë pritet të nis të premten më 5 prill e ku për herë të parë pas 40 vjetësh pritet të dihet numri i saktë i serbëve që jetojnë në Kosovë, përfshirë katër komunat veriore.

“Ky projekt-regjistrimi tani është i mbështetur nga institucionet e sigurisë në të gjitha nivelet, duke filluar nga niveli më i ulët deri te më i larti. Kështu që edhe Policia është e angazhuar në njëfar forme. Edhe nuk presim sfida në aspektin e sigurisë. Ndërsa në aspektin e pjesëmarrjes, po e përsëris është një e mirë edhe për vet komunitetin. Nëse ata për çfarëdo rasti nuk marrin pjesë ne jemi të obliguar sipas rregullave standarde me e bo një vlerësim të numrit të popullsisë,”, ka thënë Avni Kastrati, U.d. i Drejtorit Ekzekutiv i ASK-së

Në procesin e regjistrimit që pritet të përfundojë më 17 maj përpos numrit të objekteve të banimit, ekonomive familjare dhe numrit të banorëve, qytetarët do të mund t’i raportojnë edhe dëmet ekonomike dhe njerëzore nga lufta e fundit.

“Po po, ne ia japim Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë si burim shtesë. Ky është nëj burim shtesë që i ndihmon me i konsolidu regjistrat e ndryshëm edhe e kanë si kornizë nëse nuk e kanë pasur një të dhënë për një vendanim se çka ka ndodhur në një rast e ka një të dhënë të re,” shtoi Kastrati.

Regjistrimi i fundit i popullsisë dhe ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë është bërë më 2011, ndërsa ky proces në bazë të standardeve dhe praktikave ndërkombëtare duhet të realizohet çdo 10 vjet.

U.d. të Drejtorit Ekzekutiv të ASK-së insiston se vonesa nuk ka asnjë prapavijë, por fajtor sipas tij janë pandemia, problemet me furnizimin me disa pajisje të punës si dhe situata e sigurisë në veri.

Përkundër se nuk kanë kryer ndonjë matje preliminare, Kastrati thotë se pritshmëritë janë që numri i popullsisë të jetë rreth 1.5 milion banorë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat