ASK: Do të bëjmë vetëm evidentimin e dëmeve të luftës, por jo edhe verifikimin e tyre

Aktuale

ASK: Do të bëjmë vetëm evidentimin e dëmeve të luftës, por jo edhe verifikimin e tyre

Më: 6 prill 2024 Në ora: 08:39
Foto ilustrim

Zëdhënësja e ASK-së, Hazbije Qeriqi ka thënë se të dhënat për evidentimin e dëmeve të luftës do të merren vetëm si të agreguara dhe to të pasqyrohen ashtu, ndërsa me verifikimin e tyre duhet të merren institucionet përkatëse, përfshirë edhe Institutin për Krime Lufte.

‘’ASK për herë të parë në regjistër të popullsisë e ka futur në pyetësor edhe evidentimin e dëmeve të luftës. Ky evidentim bëhet vetëm përmes deklarimeve që i japin qytetarët e Kosovës. Ne i marrim të dhënat dhe do t’i publikojmë vetëm si të dhënë të agreguara, por nuk do t’i identifikojmë personat se kush ka dhënë të dhëna, ndërkaq për evidentimin e tyre dhe verifikimin e tyre merren institucionet përkatëse që ka krijuar Qeveria e Kosovës’’, thotë Qeriqi.

Qeriqi më tej ka sqaruar edhe formën se si do të bëhet evidentimi i dëmeve të luftës.

‘’Evidentimi i dëmeve të luftës do të bëhet me pyetësor të veçantë, Er1 do të jetë për ndërtesa, Er2 do të jetë për ekonomitë familjare, Er3 do të jetë për anëtarët e familjes dhe Er4 do të jetë pyetësori për dëmet e luftës së fundit në Kosovë pra në dëmet për njerëz dhe dëmet materiale’’, shton ajo.

Zëdhënësja e ASK-së, po ashtu, ka treguar numrin e personave që do të angazhohen në regjistrimin e popullsisë.

‘’Sipas planifikimeve që kemi bërë në bazë të numrit të popullsisë nga viti 2011, janë planifikuar të angazhohen rreth 3500 regjistrues, d.m.th regjistrues që janë aktiv dhe 20% e tyre janë regjistrues rezervë, në qoftë se dikush nga ta e lëshon punën, ose punësohet diku tjetër dhe nuk angazhohet, pra janë diku 3500 regjistrues, janë afër 900 mbikëqyrës, janë formuar komisionet komunale në secilën komunale, si dhe është komisioni qendror që është formuar nga institucionet e Kosovës dhe është po ashtu edhe stafi i ASK-së’’, thekson ajo.

Qeriqi tregon se komplet kostoja e regjistrimit të popullsisë do të kushton rreth 12 milion euro

‘’Në bazë të intervistave që do të zhvillohen, edhe buxheti do të kushtoj aq. Pra nga përgatitja deri tek finalizimi i rezultateve finale do të jetë rreth 12 milion euro’’, përfundon ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat