Krasniqi: Kurti po bën filma në veri, zgjedhjet nuk ofrojnë zgjidhje

Aktuale

Krasniqi: Kurti po bën filma në veri, zgjedhjet nuk ofrojnë zgjidhje

Më: 7 prill 2024 Në ora: 08:29
Milazim Krasniqi

Milazim Krasniqi, profesor universitar në UP, ka komentuar politikën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me veriun e vendit.

Sipas Krasniqit, “pozat e qeveritarëve në veri janë naivitet”.

Tutje, ai ka shkruar se Kurti po bën filma në veri.

Reagimi i tij:

Për ta shmangur presionin ndërkombëtar pas sulmit terrorist në Banjskë, Serbia ka filluar t’i paraqesë serbët e veriut si viktima të zullumit të qeverisë Kurti. Prandaj serbët atje nuk po reagojnë, thjesht po sillen si të ishin viktima. Faktikisht po kanë sukses, sepse presioni ndërkombëtar është koncentruar mbi qeverinë Kurti dhe mbi Kosovën. Kërkesa për Asociacionin tashmë është bërë ultimative: ose formohet Asocacioni urgjent, ose rrëzohet qeveria. Ndërsa qeveria Kurti po krekoset se si gjoja i ka disiplinuar serbët në veri. Pozat e qeveritarëve në veri vërtet janë naivitet. Ato poza vetëm sa e ushqejnë me karburant bojkotin dhe rebelimin e mundshëm të serbëve atje dhe po i krijojnë alibi Serbisë për militarizimin e kufirit me Kosovën. Nuk arrij ta kuptoj këtë qasje të qeverisë Kurti, a është pasojë e mendjelehtësisë, apo lëvizje me qëllim drejt konfliktit. Ose e treta, me gjasë ka vendosur t’i ikë përgjegjësisë, duke e çuar vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, prandaj po bën filma në veri. Por Kurti do të duhej ta kuptonte se në këso rrethanash, zgjedhjet nuk ofrojnë zgjidhje. Nëse serbët e bojkotojnë regjistrimin dhe nëse i bojktojnë edhe zgjedhjet, atëherë mbetet vetëm që Kurti të shkojë e t’ua bëj përhajr autonominë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat