Gola: S’kemi autoritet ta ndalim Projektligjin për tekste shkollore

Aktuale

Gola: S’kemi autoritet ta ndalim Projektligjin për tekste shkollore

Më: 12 prill 2024 Në ora: 12:12
Ardian Gola

Kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, Ardian Gola, thotë se nuk kanë autoritet ta ndalin Projektligjin për tekste shkollore nëse nuk vërtetohet që projektligji në fjalë është votuar.

“Lidhur me dilemën e ngritur sa i përket numrit të votave asgjë të pazakontë nuk ka në mënyrën se si po procedohet ky projektligj. Komisioni për Arsim nuk ka asnjë autoritet dhe kompetencë për të ndalur procedurën automatike e cila fillon në momentin kur nga kryetari i Kuvendit kemi një vendim të plotfuqishëm i cili i detyron komisionet funksionale, në këtë rast Komisioni për Arsim për të proceduar tutje për shqyrtimin nen për nen të këtij projektligji nëse ka diçka kontestuese ashtu sikurse po ngrihen edhe nga opozita, atëherë është pikërisht komisioni për Legjislacion, Mandate dhe Rregullore të Kuvendit, ai i cili e ka për obligim dhe për mandat për të interpretuar një rast specifik nëse është shkel rregullorja ose jo”, ka thënë Gola.

Kryetari i Komisionit, Gola ka shtuar se procedura është ajo e cila artikulon vullnetin politik të deputetëve dhe e përligj çfarëdo lloj përmbajtje ligjore e cila materializohet përmes Projektligjit.

“Ne si komision nuk guxojmë ta ndalim automatizimin e kësaj procedure por duhet të procedojmë në përputhje me obligimet të cilat vijnë nga seanca plenare përkitazi ose respektivisht nga vendimet që nxirren nga kryetari që e reflektojnë ose pasqyrojnë seancën e asaj dite. Nuk guxojmë të predikojmë kurrfarë epilogu në ankesat e ngritura dhe për më tepër nuk jemi adresa e duhur për t’i trajtuar këto. Është kabineti i kryetarit e mbase edhe administrata e cila duhet t’i sqarojë dhe unë shpresoj që çdo gjë të shkojë në përputhje me procedurën për shkak se procedura është ajo e cila artikulon vullnetin politik të deputetëve dhe e përligj çfarëdo lloj përmbajtje ligjore e cila materializohet përmes Projektligjit”, ka thënë Gola. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat