​Mandati i Lajçakut si lehtësues i dialogut vlerësohet i dështuar

Aktuale

​Mandati i Lajçakut si lehtësues i dialogut vlerësohet i dështuar

Më: 13 prill 2024 Në ora: 10:21
Miroslav Lajçak

E pasuksesshme dhe e dështuar po vlerësohet puna katër vjeçare e diplomatit sllovak, Miroslav Lajçak, si ndërmjetësues i dialogut, Kosovë-Serbi. Katër muaj para se ta përfundojë mandatin si lehtësues i dialogut, Lajçak kritikohet për njëanshmëri dhe qasje jokorrekte në dialog. Njohësit e procesit të dialogut thonë se përgjatë mandatit të tij nuk pati normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përkundër arritjes së marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.

Analisti politik, Fidan Ukaj thotë se puna e Lajçak ka qenë një dështim në dialog.

Ukaj: Puna e Lajçak ka qenë një dështim në dialog

“Sipas të gjitha gjasave zotëri Lajçak do të përfundojë mandatin në muajin gusht dhe do të angazhohet në përgjegjësi të reja në emër të institucioneve të BE-së. Që nga emërimi i tij përgjatë këtyre katër vite të fasilitimit të dialogut, puna dhe angazhimi i tij ka qenë një dështim dhe një humbje kohe nga ana e BE-së për besimin e dhënë për zotëri Lajçak. Për katër vite nuk patëm normalizim, përafrim, ndodhi një sulm terrorist në veri dhe nuk u arrit nënshkrimi i atij akordimi në Ohër. Tani po e shohim se pala serbe insiston do të jetë selektive në implementimin e marrëveshjeve të dakorduara duke i dërguar edhe letra BE-së se nuk do të zbatojë marrëveshjen në tërësinë e saj”, thotë Ukaj.

Të pasuksesshëm rolin e Lajçak në dialog e kualifikon edhe profesori universitar, Dorajet Imeri.

Sipas tij, marrëveshja e Brukselit e Aneksi i Ohrit nuk janë meritë e Lajçak, pasi janë arritur me përfshirje direkte të Francës e Gjermanisë.

Imeri: Konsideroj si të pasuksesshëm për të mos thënë dështim

“Konsideroj si të pasuksesshëm për të mos thënë dështim. Angazhimi i tij në këtë dikaster të rëndësishëm për BE-në nuk ka prodhuar zgjidhje. Ajo çka ka ndodhur në mes të palëve ka qenë jo vetëm faji i tij por lidhet me angazhimin e tij. Palët janë tepër të tensionuara në raportet mes tyre. Është e vërtet se Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje në Bruksel, kjo nuk do mend se pa angazhimin e Gjermanisë, Francës dhe ShBA-së kjo gjë nuk do të arrihej sa për angazhimin e Lajçak”, shton ai.

Derisa nuk dihet se kush do te pasojë Lajçakun, analisti Ukaj thotë se ndërmjetësi i ardhshëm në dialog duhet të ketë besimin e të dy palëve dhe duhet të vjen nga një vend njohës i Kosovës.

Ukaj: Ndërmjetësuesi i dialogut duhet të ketë besimin e dy palëve

“Një fasilitues një ndihmues i procesit të dialogut duhet të ketë besimin e dy palëve. Besimi i palës kosovare te Lajçak ka munguar. Urojmë që fasilituesi i ardhshëm i cili do të emërohet nga BE-ja të vjen nga vendet njohëse për Kosovën dhe të ketë besimin edhe të Kosovës”, thekson ai.

Lajçak pritet të përfundojë punën si ndërmjetësues i dialogut në fund të muajit gusht, pasi është caktuar si ambasador i BE-së në Zvicër.

Lajçak ka marrë detyrën si lehtësues i dialogut në vitin 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat