​Osmani: Kuraja e të mbijetuarave të luftës, dritare shprese për brezat e ardhshëm

Aktuale

​Osmani: Kuraja e të mbijetuarave të luftës, dritare shprese për brezat e ardhshëm

Më: 14 prill 2024 Në ora: 18:48
Foto nga vendngjarja

Gjurmët e krimeve të dhunës seksuale nga policia dhe ushtria serbe vazhdojnë të rëndojnë jetën e qytetarëve tanë edhe sot gati 25 vjet pas luftës në Kosovë.

Kështu tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë, të cilën e mbajti në lidhje me Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që nis punimet nesër në Prishtinë, si dhe me rastin e shënimit të Ditës së të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale.

E para e vendit tonë ka thënë se drejtësia ndaj grave të dhunuara nga ushtria serbe gjatë luftës, nuk do të jetë e plotë përderisa kriminelët nuk ballafaqohen me drejtësinë për veprat e tyre të kryera.

Osmani: Shënimi i 14 prillit më shumë sesa thirrje për drejtësi

“Shënimi i 14 prillit është më shumë sesa thirrje për drejtësi. Drejtësia nuk do të jetë e plotë përderisa kriminelët nuk ballafaqohen me përgjegjësi me veprat e tyre. Historia e tyre nuk do të harrohet kurrë dhe nuk do të përsëritet kurrë. Ato kanë shfaqur rezistencë dhe vullnet të pashoq për të luftuar për drejtësi, pavarësisht sfidave të mëdha dhe vuajtjeve të jashtëzakonshme. Kuraja e tyre është një dritare e shpresës për brezat e ardhshëm dhe për të rinjtë e sotëm. Gjurmët e krimeve të dhunës seksuale të kryera nga policia dhe ushtria serbe vazhdojnë të rëndojnë edhe sot jetën e qytetarëve tanë pas gati 25 vjetëve pas luftës”, tha Osmani.

Në këtë konferencë nuk mungoi as rrëfimi i njërës nga të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila me lot në sy përshkroi tmerrin e përjetuar para 25 vjetëve.

Goodman: Para 25 vjetësh u mora nga shtëpia ime

“Pikërisht para 25 vjetësh, përafërsisht në të njëjtën orë unë u mora nga shtëpia ime dhe më dërguan në fshatin e armikut tonë më të madh, Babimost. Tmerri aty ndodhi dhe unë u luta që të më vrisnin, por nuk më vranë. Ata thoshin se kështu do të vuaj më shumë dhe thoshin të mos i tregoj askujt se çfarë të kemi bërë se vijmë prapë”, ka treguar Goodman.

Ndërsa, Shyhrete Tabiri Sulejmani, e mbijetuara tjetër e dhunës seksuale, la një mesazh për të gjithë qytetarët, duke thënë që të dëgjojnë të mbijetuarit e luftës dhe të përhapin të vërtetën e tyre duke i mbështetur që të luftojnë paragjykimet.

Sulejmani: Dëgjoni të mbijetuarat e luftës dhe përhapni të vërtetën e tyre

“Për 20 vjet kam ndjerë nevojën për të mbuluat të vërtetën e dhimbshme. Është e rëndësishme që ne të gjithë të bashkëpunojmë për të luftuar këto paragjykime dhe për të ndihmuar të mbijetuarit të ndihen të mbështetur dhe të dëgjuar. Mesazhi im për ju është, ju lutem dëgjoni të mbijetuarat e luftës, besoni dhe përhapni të vërtetën e tyre, mbështetni ato duke luftuar paragjykimet. Vetëm në këtë mënyrë secili do të ndihemi të barabartë dhe për të kërkuar drejtësi”, ka thënë ajo.

Numri i saktë i personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, nuk dihet, por sipas të dhënave nga 21 nëntori 2023, vetëm 1986 persona kanë aplikuar për ta marrë statusin e personit të dhunuar gjatë luftës në Kosovë, ku prej tyre statusi u është aprovuar 1.606 personave dhe 46 janë në proces të trajtimit.

Verifikimi i dëshmive të personave që duan ta marrin këtë status, i cili vlen për periudhën 27 shkurt 1998 - 20 qershor 1999, bëhet nga Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë.

Sipas këtij komisioni, afati për aplikim për njohjen e statusit viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë është deri më 15 maj 2025. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat