RrGK: Vrasjet e grave duhet të trajtohen me urgjencë kombëtare

Aktuale

RrGK: Vrasjet e grave duhet të trajtohen me urgjencë kombëtare

Më: 16 prill 2024 Në ora: 13:42
Foto ilustrim

Rrjeti i Grave të Kosovës ka kërkuar reagim të gjithmbarshëm pas vrasjes së një gruaje nga bashkëshorti i saj në Pejë, si dhe ka kërkuar që vrasjet e grave të trajtohen me urgjencë kombëtare.

“Vrasjet e grave duhet të trajtohen me urgjencë kombëtare. Sot shteti ynë duhet të fillojë menjëherë që me urgjencë ta trajtojë parandalimin e dhunës me bazë gjinore e të femicidit duke siguruar që të gjithë akterët relevant për trajtim të dhunës me bazë gjinore kanë në dispozicion të gjithë mekanizmat me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më të mira për viktimat, me viktimën në qendër, ashtu siç e kërkon edhe Konventa e Stambollit, pjesë e Kushtetutës së Kosovës”, thuhet në reagim.

Sipas RgGK-së, gjithë shoqëria duhet të bëhet zëri i grave dhe i vajzave. Ky rrjet ka thënë se faji është i të gjithëve për tolerancën ndaj dhunës.

“Sot, sistemi mbrojtës duhet të zotohet se do të bëjë çmos që ushtruesit e dhunës të marrin dënimet meritore e që viktimat do të trajtohen me dinjitet e me përkushtim që përjetimet e dhunës të mos ju përsëriten. Sot shoqëria në përgjithësi duhet ta mbaj veten përgjegjëse për vrasjet e grave dhe dhunën sistematike që gratë po përjetojnë”, reagon RrGK.

Rasti i ndodhur në Pejë ka shkaktuar tronditje në opinionin publik, pasi ky është rasti i dytë brenda javës, pas vrasjes së 21-vjeçares në Qendrën për Punë Sociale nga burri i saj, me të cilin ishte në procedurë divorcimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat