Konjufca optimist për anëtarësimin në KiE, kritikon kushtet shtesë si të padrejta

Aktuale

Konjufca optimist për anëtarësimin në KiE, kritikon kushtet shtesë si të padrejta

Më: 16 prill 2024 Në ora: 14:33
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca

Glauk Konjufca, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, ka shprehur optimizëm se sot Kosova do të kalojë hapin e dytë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për t'u çuar më pas tek hapi i fundit më 16 maj. Gjatë një deklarate për media për mbajtjen e një fjalimi në Forum Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Konjufca theksoi se është e padrejtë të vendosen kushte shtesë për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

"Sot jam shumë optimist që Kosova do ta kalojë këtë hap të dytë sepse pastaj mbetet vetëm hapi i tretë. Sa i përket kushteve që i keni dëgjuar ju si raportim, nuk mendoj se ato janë përfshirë në raportin e zonjës Bakoyannis, dhe nuk është e ndershme për Kosovën të përballet me kushte shtesë përveç atyre që mund t’i lexoni vetë në raportin e ekspertëve të Këshillit të Evropës," tha Konjufca. Sipas tij, ekspertë të dalluar të Këshillit të Evropës janë mandatuar të vijnë në Kosovë dhe të vlerësojnë nivelet e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit—të cilat janë shtyllat kryesore të Këshillit të Evropës.

Ai shtoi se Dora Bakoyannis, në raportin e saj, ka theksuar se ka vetëm një kriter për Kosovën, dhe ai ishte çështja e Manastirit të Deçanit, të cilën Kosova e ka zgjidhur. Konjufca pohoi se do të ishte e papranueshme nëse qeveritë e shteteve të tjera do të donin të vendosnin kushte shtesë, duke e cilësuar këtë si një dëmtim të qëllimshëm të Kosovës. "Pas raportimit nga ekspertët e dalluar, të cilët kanë paraqitur situatën në Kosovë, zonja Bakoyannis ndërtoi raportin e saj që pohon se Kosova përmbush vetëm një kriter të lidhur me anëtarësimin dhe ky kriter është Manastiri i Deçanit që ne e kemi zgjidhur. Shtetet e tjera, nëse dëshirojnë të vendosin kushte shtesë, kjo do të ishte totalisht e papranueshme dhe do të përbënte dëmtim të qëllimshëm të interesave të Kosovës dhe nuk është fare e mirëpritur kur vetë Këshilli i Evropës dhe zonja Bakoyannis, e cila vjen nga një shtet që nuk e njeh Kosovën, thonë se vetëm manastiri është kushti," u shpreh Konjufca.

Konjufca përmendi se Asociacioni nuk është kusht për anëtarësim në këtë organizatë dhe se kjo nuk është përmendur as në raportin e Bakoyannis. "Tani unë po them se Kosova do të mbështetet vetëm në atë që është shënuar në raportin e zonjës Bakoyannis. Raporti nuk përmend asgjë për Asociacionin para anëtarësimit. Pas anëtarësimit, Këshilli i Evropës ka thënë se do të formojë një komision monitorues për Kosovën për të vlerësuar zbatimin e hapave të mëparshëm në implementimin e marrëveshjeve ekzistuese, një prej të cilave mund të jetë edhe Asociacioni," theksoi ai.

Konjufca shtoi: "Zonja Bakoyannis mund të kishte shkruar lehtësisht se 'nëse nuk e bëni Asociacionin, nuk mund të bëheni anëtarë,' por nuk e ka bërë këtë. Pse duhet dikush t'na ngarkojë me diçka që na ka ngarkuar zonja Bakoyannis dhe Këshilli i Evropës? Kjo do të ishte për interesat e Lajçakut dhe proceseve që ai nuk ka mundur të përmbyllë dhe të na i vërë në qafë disa kritere shtesë që janë të pandershme dhe nuk janë të drejta për Kosovën," përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat