Kurti sot përmendi Thaçin, i reagon Çitaku: E di që po të mungon, por duro dhe pak!

Aktuale

Kurti sot përmendi Thaçin, i reagon Çitaku: E di që po të mungon, por duro dhe pak!

Më: 19 prill 2024 Në ora: 12:41
Albin Kurti dhe Vlora Çitaku

Pasi kryeministri i vendit, Albin Kurti përkujtoi 11 vjetorin e arritjes së marrëveshjes së vitit 2013-2015 si dhe zotimin për siç tha Kurti “të njëanshëm” të ish kryeministrit Hashim Thaçi në Bruksel te sekretari i atëhershëm i përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen, se FSK nuk do ta kalojë lumin Ibër pa lejen e KFOR-it ka reaguar nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

Çitaku përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se kryeministri Kurti iu paska rikthyer sot përsëri marrëveshjeve të vitit 2013 dhe vitit 2015 – ato që numri dy i partisë së tij, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se janë të mira dhe të dëshiruara.

Reagimi i saj i plotë:

Kryeministri Kurti iu paska rikthyer sot përsëri marrëveshjeve të vitit 2013 dhe vitit 2015 – ato që numri dy i partisë së tij, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se janë të mira dhe të dëshiruara.

Gjithsesi, në interes të tij dhe për pak oksigjen ditor politik, ai qenka mundu me u marrë prapë me Presidentin Thaçi, ani pse ai po bën tri vjet e gjysmë i mbyllur në Hagë – në mbrojtje të luftës së shenjtë të popullit tonë për liri.

Është e pabesueshme se si një gjë Kryeministri Kurti nuk e ka kuptuar ende. Që Hashim Thaçi, edhe kundër vullnetit të tij, do të mbahet mend si Kryeminitsri i Pavarësisë së Kosovës.

Ndërkaq, Albin Kurti, i cili sot ka mbushur 1124 ditë si Kryeministër, i dyti më jetëgjatë në vend, do të mbahet mend vetëm si Kryeministri i Autonomisë Politike për serbët e pjesës veriore të Kosovës.

Marrëveshja bazike të cilën ai e ka pranuar vitin e kaluar në Bruksel, i ka humbur njohjen e ndërsjellë Kosovës dhe i ka sjellë një sërë pasojash afatgjate dhe të patjetërsueshme vendit – që tkurrin sovranitetin e shtetit tonë.

Ndërkaq, për këtë pjesën tjetër të qeverisjes, s’kemi çfarë të themi.

Nëse Hashim Thaçi ka ndërtuar autostrada moderne, shkolla, i ka rritur pagat, ka ndërtuar institicuionet dhe ka vënë në binar funksionimin e shtetit – trashëgimia e vetme që do t’i mbetet në CV-në e tij si Kryeministër Albin Kurtit, mbetet Ura tri metra e Saradranit.

Kaq, rreth krahasimit tënd kaq të dëshiruar me Presidentin Thaçi, Kryeministër. E di që po të mungon, meqë po vazhdon ta përmendësh çdo ditë, por duro edhe pak.

Dielli do të lind përsëri

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat