VV: Policia ka bllokuar materialet dhe parullat e protestës

Aktuale

VV: Policia ka bllokuar materialet dhe parullat e protestës

Më: 1 shtator 2016 Në ora: 08:59
Selia e VV

Lëvizje Vetëvendosje përmes një njoftimi për media, ka thënë se gjatë natës janë bastisur e po vazhdojnë të mbahen në kontroll e presion ambientet komerciale dhe magazinat e kompanisë që kanë marrë përsipër zërimin dhen ekranin LED për protestën. Po ashtu, thuhet se Policia ka bllokuar edhe magazinat e Lëvizjes Vetëvendosje ku ndodheshin materialet dhe parullat për protestën e sotme.

Në njoftim të Vetëvendosjes thuhet se këto ambiente janë bllokuar prej orës 1 mesnatës dhe Policia po i mban ende të bllokuara.

“Gjatë gjithë natës policia dhe grupacione të panjohura janë angazhuar në një fushatë pa precedent bastisjesh dhe shpifjesh, kundër Vetëvendosjes. .Arsyeja e vetme për këto gjeste diktatoriale, është dëshira e Thaçit, Veselit e Mustafës për t'ia dhuruar 8200 hektarë Malit të Zi, kundër ligjit, kundër vullnetit qytetar e kundër dëshirës së deputetëve. Gjatë natës, kur policia ka qenë e angazhuar maksimalisht për sabotimin e protestës, grupe të panjohura kanë shpërndarë fletushka me përmbajtje urrejtëse dhe ofenduese kundër VETËVENDOSJE!-s. Ato vende të botës ku nxitet dhuna e urrejtja ndaj opozitës, të gjitha kanë përfunduar keq, në konflikt apo në regjim fashist”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, aksione të tilla shkatërrojnë vendin dhe kanë autor direkt Thaçin, Veselin dhe Mustafën.

“Këto aksione prej regjimit shtypës policor kanë si autor direkt Thaçin, Veselin e Mustafën. Ata janë gati ta çojnë vendin në shkatërrim, janë gati të përdhosin demokracinë, të bëhen si Sadami, Asadi apo Gadafi, vetëm e vetëm që të realizojnë projektet e tyre rrënuese për vendin, siç është Demarkacioni e Zajednica. Këto projekte janë çmimi i qëndrimit të tyre në pushtet. I bëjmë thirrje qytetarëve të mos lejojnë pushtetin e frikës të bëhet pushtet i terrorit. Masivisht autobusët po nisen nga çdo vend i Kosovës për të ardhur në protestën e sotme. Bashkangjitu dhe ti, për demokracinë, për atdheun tënd”, thuhet më tej në njoftim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat