Rama tregon dy dëme që Shqipëria ia bëri Kosovës

Aktuale

Rama tregon dy dëme që Shqipëria ia bëri Kosovës

Më: 30 tetor 2016 Në ora: 18:20
Edi Rama

Në “Komunikimin e Javës” që jep përmes videomesazhit në “Facebook”, kryeministri Edi Rama ka folur për portalet dhe analistët të cilët i konsideroi një parti më vete.

Duke marrë shkas nga intervista e tij e fundit, shefi i ekzekutivit u shpreh: “Shqipëria politike dhe mediatike i ka bërë dy dëme të mëdha Kosovës, e ka ‘infektuar’ politikën dhe Kuvendin e saj me virusin e gjuhës së akuzave ekstreme, ku fjala kriminel thuhet më shpesh se sa fjala zotëri apo zonjë në komunikimin mes palëve. Po ashtu e ka infektuar edhe skenën mediatike të studiove dhe portaleve me virusin e një kulture linçimi me çdo kusht të përfaqësuesve politikë, e cila ushqehet nga motoja: Çdo mjet e justifikon qëllimin. Të dyja bashkë janë pranuar mjerisht si një vijë normale sjellje”.

Sipas Ramës, analistët në Tiranë dhe portalet janë kthyer në parti politike për të hedhur akuza ndaj kundërshtarëve politikë, duke braktisur detyrën e informimit të publikut.

“Pjesa e dërmuese e mediave dhe analistëve janë kthyer në parti politike që as votohet, as i jep llogari ndonjë votuesi dhe as nuk do t’ia dijë hiç fare se çfarë duan prej saj as dhe çfarë mendojnë për të votuesit shqiptarë. Të gjithë bashkë kanë braktisur detyrën e informimit të publikut. Janë bërë si një parti e çartur që financohet kryesisht me gjoba të paligjshme apo shërbime të padeklaruara ndaj të tretëve të interesuar për të nxitur linçimin e kundërshtarëve të tyre në politikë apo dhe biznes”, shtoi Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat