Buja: Qeveria duhet të shkojë në shtëpi, e Isa në pension

Aktuale

Buja: Qeveria duhet të shkojë në shtëpi, e Isa në pension

Më: 10 prill 2017 Në ora: 14:57
Shukri Buja

Ish- kryetari i Komunës së Lipjanit, njëherësh dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së Shukri Buja thotë se do ta përkrahë mocionin e iniciuar nga opozita për rrëzimin e Qeverisë.

Ai në një intervistë për KosovaPress ka thënë  se  kryeministri Isa Mustafa duhet të shkojmë tashmë në pension. Ndërsa sipas Bujës kjo Qeveri duhet të shkojë në shtëpi, pasi që nuk arriti t’i përmbyll proceset e mëdha për vendin.

Buja: Unë e përkrah mocionin, kjo Qeveri duhet të shkojë në shtëpi

“E përkrah mocionin për rrëzimin e Qeverisë, sepse kam qenë bukur gjatë kohë me vërejtje me kritika për këtë Qeveri e cila nuk po funksionin si duhet.. Unë jam për rrëzimin e Qeverisë, për shkak të lëshimeve të mëdha që ka bërë kjo Qeveri. I pari lëshim i z. Mustafa ka qenë nënshkrimi i marrëveshjes për Asociacionin, që Gjykata Kushtetuese i ka dhënë vërejtje në 12 çështje, të cilat janë në këtë nënshkrim që janë antikushtetuese. Pastaj është çështja e Demarkacionit,  e cila po stërzgjatet dhe po dëmtohen qytetarët e Kosovës me liberalizim të vizave. Është çështja e zhvillimit ekonomik, i cili po kamuflohet se ka zhvillim ekonomik, ka zbutje të papunësisë, e që në fakt të gjithë qytetarët e Kosovës e shohin, e ndjejnë përditë varfërimin e qytetarëve. E ndjenjë përditë se si po rrjedh zhvillimi ekonomik dhe a ka zhvillim ekonomik. A ka punësim apo largim nga Kosova të të rinjve të Kosovës. Ky kamuflim po ndodh sidomos me hyrjen borxh të Kosovës, ose rritjen e borxhit publik që e ka kalu miliardëshin dhe kjo është me rreziqe shumë të mëdha për gjeneratat e ardhshme. Kjo Qeveri do të duhej të shkojë në shtëpi. Isa Mustafa e ka mbush moshën e pensionit dhe të shkojë në pension”, tha ai.

Buja thotë se koalicioni LDK-PDK, i cili ishte jo parimor, ka dështuar  në shumë procese dhe s’ka arsye që të vazhdojë  më tutje, por duhet t'u jepet hapësirë zhvillimeve të reja.

Buja: Koalicioni ka dështuar

“Një Qeveri duhet të ketë suksese të pritshme. Kjo Qeveri është komponu edhe pse jo me dëshirë të dy subjekteve. Sepse janë dy subjekte me programe diametralisht të kundërta. Po dihet çështja e gjashtë muaj ditëshit,  që e ka bllokuar Kosovën.  Pastaj janë detyruar me hy në një koalicion jo parimor PDK-ja me LDK-në dhe është pritur apo është bërë koalicion, që të kalohen proceset e mëdha,  siç ka qenë gjykata speciale, ka qenë demarkacioni, asociacioni, ushtria e të tjera. Kur ta shohim tash rezultatin për çka është bërë ky koalicion, del se kjo Qeveri, apo ky koalicion ka dështuar në proceset e mëdha. Meqë ka dështuar në këto proceset e mëdha, për çka është bërë dhe koalicioni, atëherë nuk ka asnjë arsye që ne të vazhdojmë me këtë koalicion. Por duhet t’i japim hapësirë zhvillimeve të reja, zhbllokimit të procesit të Kosovës si shtet. Shteti i Kosovës nuk mund të ec pa i përcaktuar kufijtë e vet. Nuk mund të ec pa e rregulluar çështjen e minoriteteve. Nuk mund të ec pa a pasur ushtrinë e vet, sepse komponenti kryesor për një shtet është ushtria. Dhe Këto çështje nuk kanë ec. Mëqe nuk kanë ec,  atëherë duhet t’i japim zgjidhje proceseve dhe të zhbllokojmë proceset në Kosovë”, tha Buja.

 Duke komentuar iniciativën ligjore të presidentit Thaçi, për formimin e ushtrisë, ish kryetari i Lipjanit thotë se deklaratat se presidenti është tërhequr  nga nisma e tij, po bëhen për qëllime politike, pasi që sipas Bujës ai nuk është tërhequr, por po lë hapësirë që kjo të bëhet me ndryshime kushtetuese.

Buja: Presidenti nuk është tërheq nga nisma e tij ligjore për ushtrinë

“Interpretimet politike që po bëhen u tërhoq, nuk u tërhoq, kjo çështje po bëhet me qëllime politike. E para presidenti nuk është tërheq nga ligji. Presidenti i ka dhënë hapësirë ndryshimeve kushtetuese. Jo vetëm presidenti,  por çdo deputet i parlamentit, qoftë pozitë apo opozitë, e ka dëshirën që këto ndryshime të bëhen përmes ndryshimeve kushtetuese. Presidenti e ka nisur një iniciativën të ndryshimit të ligjit për shkak të analizave që i ka bërë stafi i tij, se nuk po ka mundësi, për shkak të bllokimit nga ana e Beogradit, përmes listës serbe që të bëhen këto ndryshime kushtetuese dhe meqë në pamundësi të ndryshimeve kushtetuese, është nis iniciativa që është e drejtë kushtetutare e parlamentit të Kosovës dhe presidentit me i ba ndryshimet ligjore. Këtu nuk është tërheq presidenti. Presidenti i ka dhënë dhe një hapësirë që të koordinohen veprimet me SHBA të me NATO-n në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese”, tha Buja.

Shukri Buja konfirmon se do të ri-kandidojë për kryetar të Lipjanit në zgjedhjet e ardhshme.  

Pasi që siç thotë ai për  këtë ka vendosur dega e PDK-së në Lipjan, ndonëse siç thotë nuk ka dashur që kandidojë edhe njëherë.

Ndërsa sa i përket aktakuzës së ngritur ndaj tij, për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit, Buja thotë se ngritja e aktakuzave është bërë modë tashmë.  Për rastin e tij ai thotë se është bërë me inicime politike, pasi që dikujt po i pengon kandidimi i tij në Lipjan.

Buja: Është bërë modë ngritja e aktakuzave

 “Aktakuza tashmë është bërë modë që të ngriten. Vetëm  nga statistikat mund ta nxirrni se sa aktakuza ngritën për zyrtarët publik. Janë 1 mijë e 489 aktakuza të ngritura në vitin 2016. Ndërsa të dënuar janë vetëm 169. Realisht nuk i bjen mbi 10 përqind të dënuar. Por ngritje të aktakuzave ka të shumta. Edhe kjo aktakuzë  është në vazhdën e aktakuzave si duket për zyrtarë publik,  për të përmbushur një statistikë që kërkohet nga dikush. Dhe në bazë të vlerësimeve të mia është me inicime politike, sepse dikujt po i pengon kandidimi im në Lipjan. E atij që i pengon dihet se kujt i pengon. Dhe realisht kjo aktakuzë shumë shpejt do të shihet se nuk ka ndonjë bazë e cila mund të dënohem...Po ngritën aktakuza për me mujt me i pengu njerëzit në politikë“, tha Buja.

 Deputeti nga radhët e PDK-së tash e sa javë ka deklaruar publikisht se koalicioni PDK-LDK duhet të prishet dhe vendi të shkojë në zgjedhje. Njëjtë si Buja kanë deklaruar edhe dy deputetë të kësaj partie, Nait Hasani dhe Shaip Muja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat