FSK-ja synon rritjen e pjesëtarëve të saj nga radhët e komuniteteve

Aktuale

FSK-ja synon rritjen e pjesëtarëve të saj nga radhët e komuniteteve

Më: 4 maj 2017 Në ora: 10:53
Konferenca e organizuar nga Ministria e FSK-së.

(E plotësuar) -  Rritja mbi 10 përqind e pjesëmarrjes së komuniteteve jo shumicë është vizioni i Strategjisë për Integrimin e Komuniteteve e që është prezantuar sot në konferencën e organizuar nga Ministria e FSK-së.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli tha se përmes kësaj strategjie synojnë përfshirjen e kadetëve të komuniteteve me qëllim të mirëmbajtjes së një force shumetnike, të shëndetshme dhe të fortë.

Demolli u shpreh se FSK-ja e konsideron tejet të rëndësishëm inkuadrimin e komuniteteve në FSK, ku sipas tij, një gjë e tillë tregon se Kosova është shtet që respekton dhe mundëson avancimin e komuniteteve jo shumicë.

Demolli: Kosova shtet  të gjithë qytetarëve të saj

"Ministria e FSK-së e konsideron të një rëndësie të jashtëzakonshme integrimin e të gjitha komuniteteve joshumicë në radhët e FSK-së. Pikërisht për këtë arsye në tetor të vitit të kaluar e kam nënshkruar dokumentin me titull “’Deklarata për politikat etnike 2017-20120’, në të cilën është theksuar nevoja për adresimin e kësaj çështje me urgjencë dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse. Një dokument dhe veprim i tillë është në pajtueshmëri të plotë me politikat e Qeverisë dhe të Presidencës të Republikës të Kosovës, të cilat promovohen përmes thënies ‘Kosova shtet i të gjithë qytetarëve të saj’”, tha Demolli.

Demolli gjithashtu tregoi se FSK është e hapur të rekrutojë kadetë pa marrë parasysh përkatësinë etnike, fetare apo  racore. Ai tregoi se procesi i integrimit do të kalojë nëpër tri etapa në mënyrë që procesi të jetë sa më transparent dhe profesional.

Demolli: Pjesëmarrja e komuniteteve në FSK të jetë mbi 10 përqind

“Kjo strategji paraqet dokumentin kyç i cili është rezultat i përgatitjeve dhe diskutimeve në detaje brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës. Përveç kësaj duhet të theksohet se ky dokument ka pasur përkrahjen nga ekipi këshillues dhe ndërlidhës i NATO-s si dhe nga partneri strategjik i FSK-së, pra Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Procesi i integrimit në Ministri të FSK-së dhe FSK i pjesëtarëve nga komuniteti jo shumicë  nga ana jonë është planifikuar si proces që do të kalojë në tri etapa. Në etapën politike, në etapën strategjike dhe në etapën e zbatimit të planit të veprimit. Draftimi, miratimi dhe implementimi I kësaj strategjie tregon përkushtimin e vazhdueshëm të Qeverisë së Kosovës dhe të Ministrisë së FSK-së për të dëshmuar se FSK  është e hapur për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, racore apo bind jeve politike, me synimin përfundimtar që përfaqësimi i komuniteteve jo shumicë në FSK të ngritet në minimumin 10 përqind, pastaj në rritjen në strukturën e rangjeve si dhe në rritjen e komuniteteve të FSK-së në vendbanimet me popullatë jo shumicë ”,  u shpreh Demolli.

Ai tha se FSK-ja është një forcë multietnike dhe se në radhët e saj ka afër 8 përqind të komuniteteve joshumicë.

Drejtoresha e Zyrës së Komuniteteve jo-shumicë  në FSK, Azemina Çullom, u shpreh se do të përkrahin komunitetet në veçanti, me qëllim të mirëqenies sociale të tyre dhe për  t'iu dhënë mundësi më te mira trajnimi dhe studimi.

Çullom: Do të avancojmë komunitetet jo shumicë në Kosovë

 “Detyrat tona janë integrimi i qëndrueshëm i komuniteteve jo shumicë në ministri dhe FSK, zvogëlimi apo largimi i pengesave gjatë procesit të integrimit dhe koordinimi intensiv i angazhimit publik të ministrisë dhe FSK-së në të gjitha komunitetet dhe zbatimi i politikave nacionale për të drejtat e komuniteteve jo shumicë. Vizioni jonë është që të krijojmë dhe të mbajmë forcat multietnike me perspektivë të shëndoshë dhe të fuqishme. Me këtë strategji ne kemi vendosur vizion afatgjatë dhe kemi treguar gatishmëri dhe vendosmëri që për integrim të mbajmë, avancojmë dhe të motivojmë komunitetet jo shumicë”, u shpreh ajo.

Ajo theksoi edhe faktin se parim kryesor i strategjisë është ofrimi i studimeve dhe pjesëmarrja jashtë vendit e pjesëtarëve të komunitetit jo shumicë.

Çullom u shpreh se do të rrisin paraqitjen në zonat e komunitetit jo shumicë dhe do të fokusohen në mirëqenien sociale të pjesëtarëve të komuniteteve jo shumicë.

Në konferencë u ngrit edhe çështja e pjesëmarrjes së femrave nga radhët e komuniteteve  në FSK, me ç’rast u tha se edhe femrat duhet të integrohen në  Forcat Mbrojtëse.

 Faktin se FSK-ja  ka bërë punë shumë të mirë në përfshirjen e komuniteteve në FSK e theksoi edhe Jeffrey Fischer, kolonel dhe zëvendësdrejtori i NALT-it.

Fischer: Pjesa e ekzekutimit të strategjisë sfiduese,  por e arritshme

“Ministria e FSK-së dhe FSK-ja kanë ndërmarrë hapa të mirë, por diversiteti etnik dhe integrimi nuk mbaron kurrë. Nuk është diçka që bëhet dhe mbaron aty. Është një proces i përjetshëm që çdo organizatë apo çdo shteti suksesshëm vazhdon ta bëjë ditë e natë. Hapat e ardhshëm të FSK-së përfshijnë përpjekjet prej politikave dhe objektivave duke kaluar në pjesën e ekzekutimit e cila do të jetë një sfidë por e arritshme”, tha ai.

Sipas tij Kosova mund të bëjë ende më shumë sa  i përket integrimit të dhe përpjekjeve për përfshirjen e diversitetit etnik, gjë që sipas tij deri më tash është bërë punë e jashtëzakonshme në këtë aspekt.

Edhe zëvendësambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Tom Adams vlerësoi punën që Ministria e FSK-së ka bërë dhe tha se është kënaqësi të shihen rezultatet e gjithë asaj që është bërë.

Ndryshe, strategjia për integrimin e komuniteteve jo shumicë në Kosovë do të zbatohet përmes planit vjetor të veprimit.

FSK-ja synon rritjen e përfaqësimit të komuniteteve

Ministria për Forcën e Sigurisë synon rritjen deri në 10 përqind të përfaqësimit të komuniteteve jo shumicë në FSK.

Kështu u tha sot në konferencën e mbajtur për prezantimin e Strategjisë për Integrimin e Komuniteteve jo-shumicë në FSK.

Ministri i FSK-së Haki Demolli tha se përmes kësaj strategjie synojnë përfshirjen e kadetëve të komuniteteve me qëllim të mirëmbajtjes së një force shumetnike, të shëndetshme dhe të fortë.

 "Kjo strategji paraqet elementin kyç brenda FSK-së dhe ky dokument ka pas përkrahjen edhe nga partnerë ndërkombëtar, përfshirë edhe SHBA-të. Kjo strategji përfshinë tri etapa, atë politike, strategjike dhe të veprimit", u shpreh Demolli.

 Ai tha se FSK-ja në radhët e saj ka 8 përqind të komuniteteve jo shumicë.

Drejtoresha e Zyrës së Komuniteteve joshumicë në FSK,  Azemina Çullom, u shpreh se do të përkrahin komunitetet në veçanti, me qëllim të mirëqenies sociale të tyre dhe për t'iu dhënë mundësi më te mira trajnimi dhe studimi.

"Parimi kryesor i strategjisë është të ofrojë studime dhe përfshirje të komuniteteve gjë që ka shumë rëndësi. Ne kemi cekur shumë propozime për trajnim dhe studim duke organizuar kurse të gjuhës angleze, gjithashtu për të rishikuar për të zgjerohet bashkëpunimi rajonal. FSK i ka aktivitet e saj ekipore dhe ne do të përkrahin komunitetin jo shumicë duke u ofruar atyre trajnime jashtë vendit që të trajnohen", tha ajo.

 Ajo u shpreh se do të rrisin paraqitjen në zonat e komunitetit jo shumicë dhe do të fokusohen në mirëqenien sociale të pjesëtarëve të komuniteteve jo shumicë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat