Kur do të diskutohet demarkacioni në Kuvend, flasin deputetët…

Aktuale

Kur do të diskutohet demarkacioni në Kuvend, flasin deputetët…

H.Orana Nga H.Orana Më 6 maj 2017 Në ora: 20:51
Kuvendi i Kosoves

Pas një bisede telefonike të kryeministrit Isa Mustafa dhe zëvendës ndihmës sekretarit amerikan te shtetit, Hoyt Yee është thënë se të hënën Qeveria t’ia procedojë Kuvendit të Republikës së Kosovës Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Por a do të diskutohet demarkacioni këto ditë në Kuvend, deputetët ende nuk kanë një informatë të saktë.

Kështu këshilltari i Kryeministrit të Kosovës, Bajram Gecaj thotë se të hënën do të procedohet demarkacioni në Qeveri.

“Ne e dërgojmë në Kuvend, pastaj është çështje e tyre”, thotë Gecaj për “Bota sot”.

Por në të njëjtën ditë nuk do të diskutohet kjo çështje në Kuvend. Këtë e bën të ditur deputeti nga radhët e LDK-së, Adem Salihaj.

“Nuk do të jetë të hënën demarkacioni në seancë. Seanca nuk mbahet të hënën, nuk ka seancë të caktuar për këtë ditë”, thotë Salihaj për “Bota sot”.

Ndërkaq deputetja nga opozita, Shqipe Pantina nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se ende ka ndonjë informatë zyrtare se kur do të diskutohet demarkacioni në Kuvend.

“Ende nuk kemi marrë asgjë zyrtare, por nga ajo që është raportuar në medie duket se Qeveria do e procedoj atë para të mërkurës kur pritet të votohet mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë”, thotë deputetja Pantina.

Ndryshe opozita ka deklaruar se mocioni për mosbesim ndaj Qeverisë së koalicionit PDK-LDK, të cilën e udhëheq Isa Mustafa, do të mbahet të mërkurën në orën 10:00./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat