Gecaj i reagon PDK-së: Po zvarriteni e jargoseni për dy-tre deputetë të kontrabanduar

Aktuale

Gecaj i reagon PDK-së: Po zvarriteni e jargoseni për dy-tre deputetë të kontrabanduar

Nga: B.S Më: 26 korrik 2017 Në ora: 10:22
Bajram Gecaj

Zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj ka reaguar ndaj PDK-së, e cila ka thënë se ata po u bëjnë presion deputetëve të mos votojnë për kryeministrin e ardhshëm.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë PDK-ja e ka futur vendin në qorrsokak dhe se ata do të bien në gropën që e kanë bërë vetë, pasi thotë se po zvarriten për numra, për dy deputetë të kontrabanduar, përcjell Bota sot.

Postimi i tij i plotë:

Adios PDK

A mund të tingëlloi diçka më ironike, e pafytyrësi dhe më joracionale se sa kur PDK na thotë se ne u bëjmë presion deputetëve tanë mos të kalojnë në radhët e tyre?! Presion vërtetë u ishte bërë atyre, ne, por edhe tërë elektoratit tanë, vetëm atëherë kur, për hir të interesit partiak e shtetëror, strukturat tona partiake kishin vendosur të nënshkruanin marrëveshje koalicioni me grupimin politik më të mbrapsht në skenën tonë politike; grupim ky i cili nuk respekton rregulla, nuk ka moral, nuk njeh proceduara, dhe të cilit i mungon edhe ndjenja më e vogël e përgjegjësisë dhe e ndershmërisë njerëzore e shtetërore. Lidershipi i PDK-së duhet t’u shpjegoi deputetëve dhe anëtarësisë së tyre, së paku atyre të cilëve u ka mbetur sadopak ndershmëri e përgjegjësi, përse i futën në një rrugë pa krye, përse futën vendin në një krizë të panevojshme institucionale, dhe përse rrëzuan veten e tyre, dhe rrjedhimisht qeverinë më të suksesshme të pasluftës! Ishte thjeshte grykësia e tyre për pushtet autoritar dhe kontroll të plotë institucional që tani e sollën vendin të sillet si “pula pa krye”. Kishin dy funksionet kryesore shtetërore, dhe nuk u mjaftuan - donin të grabisnin edhe të tretin. Kishin gjysmën e qeverisë - e donin të tërën. Kishin rehatinë e numrave - tani zvarriten e jargosen për dy-tre deputetë të shantazhuar, kontrabanduar apo të korruptuar. Dhe ende ua mbanë fytyra të na thonë se nuk paskemi “komoditetin të futemi në ngërçe politike”, kur ishin mu ata që, me metodën e “thikës prapa shpinës”, futën vendin dhe marrëzisht edhe veten e tyre në këtë qorrsokak institucional. Nëse vërtetë dikush duhet “të vendosë me vullnetin e tyre”, atëherë janë mu deputetët tuaj të cilët do të duhej që “me vullnetin e tyre” të dënojnë tentimet aventureske të duo’s Thaçi/Veseli; aventura këto të cilat për kalkulimet e pastra personale e individuale injoruan anëtarësinë dhe elektoratin e tyre, rrënuan edhe atë pak besim që ekzistonte ndërmjet partive politike, hendikepuan ndjeshëm sistemin politik, dhe dëmtuan seriozisht interesin nacional e shtetëror të Republikës së Kosovës. E keni bërë vetë gropën në të cilën do të fundoseni. E keni helmuar vetë pusin ku keni pirë ujë. Me metodat tuaja shantazhuese dhe korruptive, ndoshta edhe mund të zvarriteni edhe pak rreth e përreth pushtetit. Por koha kurrë nuk kthehet prapa. Koha juaj ka perënduar një herë e përgjithmonë. Këtë ua kishte thënë shumë qartë, kohë më parë në Prishtinë, edhe miku ynë James Rubin, por ju refuzuat apo edhe nuk deshët ta kuptoni. Është koha e fundit të “pushoni”, të pastroni radhët tuaj, të reformoheni dhe ripërtëriheni, e që pastaj të riktheheni në skenën politike si subjekt politik me të cilën se paku mund të bisedohet. Adios./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat