Kosova akrediton ambasadorin në Guineja Bisau

Aktuale

Kosova akrediton ambasadorin në Guineja Bisau

Më: 19 qershor 2018 Në ora: 16:13
Foto nga takimi

Ambasadori i Kosovës në Senegal, Ramadan Gashi i shoqëruar nga drejtori i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Lulzim Mjeku, dorëzoi letrat kredenciale, si ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i vendit tonë në Guineja - Bisau, me rezidencë në Dakar të Senegalit.

Gjatë ceremonisë së dorëzimit të letrave kredenciale, ambasadori Ramadan Gashi, i përcolli presidentit Vaz, përshëndetjet e presidentit, qeverisë dhe popullit të Kosovës, drejtuar Shkëlqesisë së Tij, qeverisë dhe popullit të Guinesë, shprehjen e konsideratave më të larta për njohjen e shtetit të Kosovës, si dhe ngritjen e marrëdhënieve diplomatike bilaterale në nivel ambasadorësh.

Presidenti Vaz e falënderoi ambasadorin Gashi dhe autoritetet e shtetit të Kosovës, dhe u zotua për thellimin e marrëdhënieve me shtetet që pasqyrojnë demokracinë dhe paqen në skenën ndërkombëtare.

Ambasadori Gashi, në këtë prizëm, theksoi se shteti dhe populli i Kosovës, po ndërton ura miqësie me popujt si ky i Guineja - Bisau që edhe pse të largët gjeografikisht i afron përvoja e ngjashme historike.

Presidenti Vaz dhe ambasadori Gashi u angazhuan në thellimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve dypalëshe, në fushat e interesit të përbashkët.

Ceremoninë e dorëzimit të kredencialeve të ambasadorit Gashi në Guinea-Bisaos e kanë pasqyruar edhe mediat e këtij shteti.

Me akreditimin e ambasadorit Ramadan Gashi në disa shtete të Afrikës, Republika e Kosovës e ka rritur praninë e saj diplomatike duke e forcuar pozitën e saj. Këto zhvillime erdhën pasi diplomacia e Serbisë kishte ndërmarrë fushata absurde duke fabrikuar ‘tërheqjen e njohjes’ së Kosovës së pavarur. Akreditimet e shumëfishta i japin fund traktativave të tilla.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat