Zëvendëskryeministri Dardan Gashi, njëherësh ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, u takua me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, me të cilën bisedoi për procesin e zgjedhjeve, votimin e pjesëtarëve të diasporës dhe përfaqësimin e bashkatdhetarëve në Kuvendin e Kosovës.
Ata me këtë rast u pajtuan që diaspora duhet të informohet më shumë për votimin përmes ueb faqeve të institucioneve, përmes tryezave me përfaqësuesit e diasporës, por edhe përmes shoqatave, asociacioneve e organizimeve të ndryshme, të cilat shërbejnë si pika grumbullimi të materialeve zgjedhore për votim jashtë Kosovës.
Në takim u potencua se për përfaqësimin e diasporës në Kuvendin e Kosovës ka vullnet politik nga subjektet politike të Kosovës dhe në një të ardhme të afërt do të organizohen takime, debate, tryeza dhe organizime të ndryshme për procesin e votimit të diasporës.
Debate të tilla do të mbahen edhe me partitë politike, nga të cilat do të dilet me qëndrim se si do të veprohet në të ardhmen, sa i takon votës së përfaqësuesve të diasporës, por, njëkohësisht, në takimet që do të mbahen në diasporë do të merret edhe mendimi i tyre.
Gashi dhe Daka u dakorduan që ta thellojnë bashkëpunimin, me qëllim që përfaqësuesve të diasporës t’ua bëjnë më të lehtë votimin dhe të shihet mundësia e përfaqësimit të tyre në Kuvendin e Kosovës.