Ford hap një fabrikë të re montimi në Gjermani – do jetë e fokusuar në veturat elektrike

Auto

Ford hap një fabrikë të re montimi në Gjermani – do jetë e fokusuar në veturat elektrike

Më: 13 qershor 2023 Në ora: 23:41
Foto ilustrim

Dje Ford hapi qendrën e saj të veturave elektrike në Këln, e cila është pjesë e shtytjes së prodhuesit të veturave në mënyrë që e gjithë gama e saj e veturave të pasagjerëve në Evropë deri në vitin 2030, të jetë tërësisht elektrike.

Fabrika e prodhuesit amerikan të veturave në Këln ishte themeluar në vitin 1930, por në vitin 2021, kompania tha se do ta transformonte atë në një qendër prodhimi të veturave elektrike me një kosto prej 1 miliard dollarësh, dhe që nga dje, kompania thotë se transformimi i uzinës është “pjesë e një investimi prej 2 miliardë dollarësh”.

Vetura e parë që do të prodhohet në fabrikë është Explorer i ri tërësisht elektrik i Ford-it i prodhuar ekskluzivisht vetëm për tregun evropian. Kompania po e cilëson SUV-në “corssover” e cila është ndërtuar duke u bazuar në platformën MEB të VW si veturën e saj të katërt elektrike pas Mustang Mach-E, E-Transit dhe F-150 Lightning, raporton The Verge.

Një “crossover sportiv” është planifikuar që të jetë vetura e dytë elektrike në këtë fabrikë. Sipas deklaratave të Ford, qendra e veturave elektrike në Këln do të ketë një kapacitet total prodhimi prej 250 mijë njësive në vend.

Vitin e kaluar kompania bëri të ditur se deri në vitin 2024 planifikon që të ofroj shtatë modele të reja të veturave elektrike, duke përfshirë 3 vetura të pasagjerëve dhe 4 vetura komerciale. Tutje ata shpresojnë që deri në vitin 2026, në kontinentin e vjetër të shes mbi 600 mijë vetura elektrike, e në të njëjtën kohë të prodhojë mbi 2 milionë njësi për vit globalisht.

Ford po e përshkruan objektin si impiantin e tij të parë të montimit neutral të karbonit në nivel global dhe thotë se shpreson të jetë neutral ndaj karbonit në të gjithë “objektet, logjistikën dhe furnizuesit e drejtpërdrejtë” të tij evropian deri në vitin 2035.

Kryetari ekzekutiv i bordit të Ford-it, Bill Ford, thotë se qendra e veturave elektrike në Këln do të jetë “një nga impiantet më efikase dhe më të përgjegjshme për mjedisin në të gjithë industrinë”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat