Protesta të rralla në Siri pas ndërprerjes së subvencioneve në naftë

Azia

Protesta të rralla në Siri pas ndërprerjes së subvencioneve në naftë

Më: 26 gusht 2023 Në ora: 10:19
Protestat nisën në fund të javës së kaluar

Protestat e rralla kundër qeverisë së presidentit sirian, Bashar Al-Assad vazhduan të premten në disa zona të Sirisë, përfshirë një varg qytezash në provincat Daraa dhe Sweida.

Protestat nisën në fund të javës së kaluar, pasi autoritetet i ndërprenë subvencionet në naftë, duke u dhënë goditje të rëndë banorëve të vendit që po ballafaqohen qe disa vjet me krizën e luftës dhe të ekonomisë, raporton gazeta “The Guardian”.

Në qytezën Bosra al-Sham të provincës Darra, dhjetëra njerëz protestuan, duke bërë thirrje haptazi për fundin e pushtetit të Asadit, tha një korrespondent i agjencisë franceze të lajmeve, AFP.

“Ne kemi ardhur në rrugët e Bosra al-Shamit për t’i konfirmuar vazhdimin tonë të revolucionit sirian dhe kërkesat që na sollën këtu më 2011”- tha aktivisti Ahmad Mekdad.

Provinca Daraa ishte djepi i kryengritjes së vitit 2011, të cilët Asadi e shtypi në mënyrë të përgjakshme, duke nxitur luftë civile për më shumë se një dekadë, me më shumë se gjysmë milioni të vdekur e miliona të tjerë të zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Protestuesit mbajtën pankarta ku shkruhej “Largohu! Ne duam të jetojmë” dhe “Heshtja sot nënkupton që tirani vazhdon”.

“Ne nuk do të tërhiqemi nga kërkesat tona për liri, dinjitet dhe një Siri të bashkuar”- shtoi aktivisti Mekdad.

Aktivistët e Zyrës së Dokumentimit të Martirëve të Daraas thanë se protesta të ngjashme janë mbajtur edhe në të paktën tetë vende të tjera në këtë provincë.

Daraa u kthye nën kontrollin qeveritar më 2018 sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Rusia me luftëtarët rebelë. Që nga ajo kohë, rajoni është prekur nga pasiguria, dhuna e kushtet e rënda për jetesë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat