Drejtuesit e Hezbollahut, Hamasit dhe Xhihadit Islamik Palestinez, takim në Liban

Azia

Drejtuesit e Hezbollahut, Hamasit dhe Xhihadit Islamik Palestinez, takim në Liban

Më: 25 tetor 2023 Në ora: 20:22
Sayyed Hassan Nasrallah (djathtas), Ziad al-Nakhleh (në qendër), dhe Saleh al-Arouri duke u takuar në Bejrut (25 tetor 2023)

Udhëheqësi i grupit libanez Hezbollah u takua të mërkurën në Bejrut me drejtues të Hamasit dhe të Xhihadit Islamik Palestinez. Takimi i tre grupeve militante anti-Izrael vjen ndërsa vazhdon lufta në Gazë.

Ndërkohë në Sirinë fqinje, mediat shtetërore thanë se një sulm ajror izraelit goditi aeroportin ndërkombëtar në qytetin verior Aleppo të mërkurën, duke dëmtuar pistën dhe duke e nxjerrë kështu jashtë funksionit aeroportin.

Nuk pati komente të menjëhershme nga Izraeli për sulmin ajror.

Pas takimit në Liban, në një deklaratë të shkurtër thuhet se udhëheqësi i Hezbollahut, Nassan Nasrallah ra dakord me drejtuesin e Hamasit, Saleh al-Arouri dhe atë të Xhihadit Islamik, Ziad al-Nakhleh për hapat e ardhshëm që këto tre grupe, së bashku me militantët e tjerë që mbështeten nga Irani, duhet të ndërmarrin në këtë “fazë delikate” në Lindjen e Mesme.

Sipas deklaratës së transmetuar në mediat e kontrolluara nga Hezbollahu dhe në mediat shtetërore libaneze, objektivi i tyre ishte arritja e “një fitoreje të vërtetë për rezistencën në Gazë dhe Palestinë” dhe për të ndalur “agresionin brutal dhe të pabesë (të Izraelit) ndaj popullit tonë të shtypur dhe të palëkundur në Gazë dhe në Bregun Perëndimor”.

Nuk u dhanë detaje të mëtejshme. Takimi u bë ndërsa lufta mes Izraelit dhe Hamasit, grupit militant palestinez që qeveris Rripin e Gazës, që pasoi sulmin e 7 tetorit, është tashmë në javën e tretë.

Ndërsa numri i viktimave në Gazë vazhdon të rritet, tensionet janë shtuar edhe përgjatë kufirit Liban-Izrael, ku anëtarët e grupit Hezbollah kanë shkëmbyer zjarr me forcat izraelite, që ditën pas mësymjes së Hamasit në Izrael.

Për momentin, shkëmbimet e zjarrit vazhdojnë të jenë të kufizuara përreth disa qyteteve kufitare dhe pozicioneve luftarake të Hezbollahut dhe Izraelit në të dyja anët e kufirit. Janë dislokuar gjithashtu njësi të shumta të ushtrisë libaneze dhe forcave paqeruajtëse të OKB-së.

Dhjetra luftëtarë të grupit Hezbollah janë vrarë deri më tani gjatë këtyre shkëmbimeve, sipas njoftimeve të këtij grupi, ndërsa ushtria izraelite ka njoftuar se ka patur disa viktima edhe në radhët e saj.

Drejtuesi i Hezbollahut, Nasrallah, ende nuk ka folur publikisht për luftën në Gazë dhe përplasjet përgjatë kufirit Liban-Izrael. Megjithatë, zyrtarë të tjerë të lartë të Hezbollahut kanë paralajmëruar Izraelin të mos ndërmarrë sulm tokësor në territorin e rrethuar të Gazës.

Zyrtarët izraelitë kanë thënë se do të kundërpërgjigjeshin me agresivitet në rast se Hezbollahu sulmon duke kaluar kufirin e Libanit.

“Do t’i godasim me një forcë që as nuk e imagjinojnë dot, dhe pasojat për ta (Hezbollahun) dhe për shtetin libanez do të ishin shkatërrimtare”, tha Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, ndërsa vizitonte të dielën forcat ushtarake përgjatë kufirit me Libanin.

Qeveria teknike libaneze, që funksionon me të ardhura të pakëta, po përpiqet së bashku me personalitete të tjera rajonale dhe ndërkombëtare, që ta mbajë vendin jashtë luftës.

Për një muaj në vitin 2006, Hezbollahu dhe Izraeli bënë luftime të cilat përfunduan pa fitues. Izraeli e konsideron Hezbollahun e mbështetur nga Irani si rrezikun më serioz dhe vlerëson se ky grup ka rreth 150 mijë raketa të drejtuara drejt Izraelit.

Në njoftimin për sulmin ajror në Aleppo, agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA citoi një zyrtar ushtarak të ketë thënë se sulmi u bë nga perëndimi, mbi Detin Mesdhe pranë qytetit bregdetar Lattakia. Në njoftim nuk flitet për viktima të mundshme.

Nëse konfirmohet, ky sulm do të ishte i katërti i bërë nga Izraeli ndaj aeroportit në Aleppo, qyteti më i madh dhe qendra financiare e Sirisë, që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas.

Sulmi i parë ndodhi më 12 tetor, kur raketat izraelite goditën aeroportet ndërkombëtare në Aleppo dhe në kryeqytetin sirian Damask, duke i bërë këto aeroporte të papërdorshme. Aeroporti i Aleppos u riparua më vonë.

Izraeli godet aeroportet dhe portet në zonat e kontrolluara nga qeveria siriane, me sa duket në përpjekje për të ndalur dërgimin e armatimeve nga Irani për militantët e mbështetur nga Teherani, ndër ta edhe grupin Hezbollah. Mijëra luftëtarë të mbështetur nga Irani të ardhur nga mbarë rajoni janë bërë pjesë e luftës civile 12-vjeçare në Siri, duke favorizuar kështu forcat e Presidentit Bashar Assad.

Izraeli ka bërë qindra sulme të tilla ajrore gjatë viteve të fundit, përfshirë në aeroportet e Damaskut dhe Aleppos, por rrallë i ka pranuar apo komentuar këto operacione./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat