Gaza sërish pa qasje në internet, teksa trupat izraelite luftojnë me Hamasin

Azia

Gaza sërish pa qasje në internet, teksa trupat izraelite luftojnë me Hamasin

Më: 1 nëntor 2023 Në ora: 09:19
Sulmet izraelite në një kamp refugjatësh në Gazë më 31 tetor 2023.

Palestinezët kanë raportuar sërish për ndërprerje të shërbimeve të internetit dhe të telefonisë mobile në Gazë më 1 nëntor, disa orë pasi sulmet izraelite rrafshuan ndërtesa banimi afër qytetit të Gazës dhe teksa trupat tokësore po luftojnë me militantët e Hamasit brenda territorit të rrethuar.

Kompania palestineze e telekomit, Paltel, raportoi për “ndërprerje të plotë” të shërbimeve të internetit dhe telefonisë mobile. Kjo është hera e dytë në pesë ditë që banorët mbesin pa kontakt me botën jashtë. Shërbimet e komunikimit u ndërprenë edhe gjatë fundjavës, përderisa një numër i madh i trupave izraelite u futën në Gazë.

Agjencitë e ndihmës humanitare kanë paralajmëruar se ndërprerjet e këtyre shërbimeve pengojnë rëndë punën e tyre, teksa situata humanitare në Gazë veçse është e rënduar pasi gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë palestinezësh janë zhvendosur dhe janë duke mbaruar furnizimet bazike pas më shumë se tre javë luftë që u nxit nga sulmet e përgjakshme të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor.

Përpjekjet për të telefonuar banorët brenda Gazës mëngjesin e së mërkurës ishin të pasuksesshme. Grupi avokues për qasje në internet, NetBlocks.org konfirmoi se Gaza është “në mes të një ndërprerje totale” që është e ngjashme me situatën që u krijua gjatë fundjavës.

Një ditë më herët, një breshëri sulmesh ajrore rrafshuan ndërtesa banimi në një kamp refugjatësh afër qytetit të Gazës. Drejtori i një spitali aty pranë tha se kanë pranuar viktima, por shtoi se qindra persona u plagosën ose u vranë. Numri i saktë i viktimave ende nuk dihet.

Izraeli tha se sulmi, që shënjestroi liderin e lartë ushtarak, Ibrahim Biari, ka shkatërruar një qendër komanduese të militantëve dhe një rrjet tunelesh nën tokë. Sipas Izraelit, gjatë sulmit janë vrarë dhjetëra luftëtarë.

Zëdhënësi i ushtrisë, Jonathan Conricus, tha se Biari ka qenë një prej planifikuesve kyç të sulmeve të 7 tetorit dhe se ndërtesat e banimit u shembën për shkak se u shkatërrua kompleksi nëntokësor i Hamasit.

Pretendimet e asnjërës palë në këtë konflikt nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

Në ditët e fundit, trupat izraelite kanë avancuar drejt periferive të qytetit të Gazës nga veriu dhe lindja. Zyrtarët izraelitë kanë thënë se infrastruktura ushtarake e Hamasit, përfshirë qindra kilometra tunele, gjenden në qendër të qytetit, që para luftës ishte shtëpi e afër 650.000 banorësh.

Izraeli ka qenë i paqartë lidhur me operacionet e tij në Gazë, por banorët dhe një zëdhënës i grupit militant kanë thënë se trupat duket se po tentojnë të marrin kontrollin e dy rrugëve kyçe që çojnë në drejtimin veri-jug.

Vlerësohet se 800.000 palestinezë janë zhvendosur në jug të qytetit të Gazës nga pjesa verore pas urdhrit të Izraelit për evakuim, por qindra mijëra vazhdojnë të jenë në veri, përfshirë edhe ata që u larguan fillimisht, por më pas u kthyen për shkak se Izraeli po ashtu kryen sulme ajrore edhe në jug.

Gaza është rrethuar që nga nisja e luftës, duke bërë që furnizimet me ushqim, ujë, ilaçe dhe karburante të jenë të pakta. Izraeli ka lejuar grupet ndërkombëtare të ndihmës të dërgojnë mbi 200 kamionë me ndihmë humanitare gjatë dhjetë ditëve të fundit, por punëtorët e ndihmës kanë thënë se kjo sasi është e pamjaftueshme.

Autoritetet izraelite kanë ndaluar furnizimet me karburante, duke bërë që spitalet të paralajmërojnë se gjeneratorët e tyre shpejt mund të dalin jashtë funksionit, duke vënë në rrezik jetën e pacientëve.

Izraeli është zotuar se do të shtypë aftësinë e Hamasit për të qeverisur me Gazën dhe për ta kërcënuar atë, por ka shtuar se nuk ka në plan që ta ripushtojë territorin, prej të cilit u larguan ushtarët izraelitë dhe kolonët më 2005.

Mbi 8.500 palestinezë janë vrarë gjatë luftës, shumica gra dhe të mitur, ka thënë Ministria e Shëndetësisë në Gazë të martën, pa bërë dallim në mesin e civilëve dhe luftëtarëve të vrarë.

Mbi 1.400 persona janë vrarë në Izrael, shumica civilë, gjatë sulmeve të Hamasit. Militantët po ashtu kanë rrëmbyer afër 240 persona.

Krahu ushtarak i Hamasit tha të martën se planifikon që të lirojë pengje joizraelite gjatë ditëve në vijim. Paraprakisht, Hamasi ka liruar katër pengje dhe ka thënë se është i gatshëm të lirojë të gjitha pengjet në këmbim të mijëra palestinezëve që gjenden në burgjet në Izrael. Por, Izraeli ka hedhur poshtë këtë ofertë, teksa më herët gjatë javës forcat izraelite arritën të shpëtonin një ushtare 19-vjeçare të zënë rob nga militantët palestinezë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat