Biletat e linjës ajrore janë shitur gabimisht për vetëm 1.3 euro, por kompania kineze nuk do t’i anulojë ato

Azia

Biletat e linjës ajrore janë shitur gabimisht për vetëm 1.3 euro, por kompania kineze nuk do t’i anulojë ato

Më: 11 nëntor 2023 Në ora: 10:07
Foto ilustrim

Për shkak të një gabimi të sistemit në aplikacion, disa njerëz me fat blenë një biletë aeroplani për vetëm 10 juanë kinezë ose 1.3 euro.

Linja ajrore kineze, China Southern Airlines njoftoi më vonë se nuk do të anulonte biletat për pasagjerët që arritën të blinin me këtë çmim jashtëzakonisht të ulët.

“Të gjitha biletat e paguara dhe të lëshuara në momentin e gabimit në sistem janë të vlefshme dhe pasagjerët mund t’i përdorin ato”, njoftoi kompania.

Lajmi për fluturimin me kosto të ulët nga qyteti jugperëndimor i Chengdu në Pekin u përhap shpejt në mediat sociale.

Disa bileta janë shitur për vetëm 10 deri në 30 juanë kinezë ose nga 1,3 deri në 3,85 euro, ndërsa çmimet fillestare të fluturimeve të tilla shtatë ditë më vonë janë rreth 400 juanë, ose 51 euro.

Çmimi i biletave ishte kaq i ulët për shkak të një gabimi të sistemit në aplikacionin “China Southern Airlines”, i cili ndikoi gjithashtu në çmimet e biletave të kompanisë në platformat e tjera të biletave.

Nuk dihet se sa bileta janë shitur në momentin e gabimit dhe cilat fluturime janë prekur nga gabimi, por kompania ajrore nuk ka tërhequr biletat. Ajo të enjten ka njoftuar në rrjetin social se të gjitha biletat që janë paguar dhe lëshuar në momentin e gabimit janë të vlefshme dhe klientët mund t’i përdorin ato.

Gabime të ngjashme në çmimet e biletave ajrore kanë ndodhur edhe më parë, por jo të gjithë përdoruesit patën fatin që biletat e tyre të mbeten të vlefshme. Në muajin prill, disa pasagjerë të linjës ajrore japoneze “All Nippon Airways” arritën të blinin bileta vajtje-ardhje për vetëm 300 dollarë ose 280 euro.

Bëhet fjalë për bileta që kushtojnë normalisht 10 mijë dollarë, pra më shumë se 9000 euro, por kjo ka ardhur si pasojë e një gabimi konvertimi. Linja ajrore më vonë informoi se bileta të tilla ishin të pavlefshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat