Presidenti aktual Al-Sissi fitoi zgjedhjet në Egjipt, ky është mandati i tij i tretë

Azia

Presidenti aktual Al-Sissi fitoi zgjedhjet në Egjipt, ky është mandati i tij i tretë

Më: 18 dhjetor 2023 Në ora: 16:53
Al-Sissi

Presidenti egjiptian Abdel-Fattah al-Sissi siguroi një mandat të tretë presidencial në zgjedhjet e javës së kaluar me 89.6 për qind të votave, njoftoi komisioni kombëtar i zgjedhjeve.

Zgjedhjet presidenciale u mbajtën nën hijen e luftës në Gaza dhe krizës së rëndë ekonomike në vend, por fitorja e Al-Sissit nuk vihej në dyshim.

Sipas kushtetutës egjiptiane, ky duhet të jetë mandati i tij i fundit si kreu i shtetit.

Sipas kreut të komisionit zgjedhor, Hazem Badawi, pjesëmarrja në votime ishte 66.8 për qind.

Në javët para zgjedhjeve, autoritetet u kërkuan njerëzve që të dilnin masivisht pasi zgjedhjet e 2018 u kritikuan për pjesëmarrje të ulët, rreth 40 për qind.

Egjipti ka 106 milionë banorë. Mes 10 dhe 12 dhjetorit, më shumë se 44 milionë banorë votuan dhe më shumë se 39 milionë votuan për Al-Sissin.

“Nuk ka pasur shkelje apo parregullsi për të njollosur procesin zgjedhor”, tha Badawi.

Në vitin 2013, ushtria e udhëhequr nga Al-Sisi rrëzoi Mohamed Morsin, një president i zgjedhur në mënyrë demokratike nga radhët e islamit radikal që ndau vendin.

Al-Sissi fitoi bindshëm në 2014 dhe 2018. Mbështetësit e tij e shohin atë si një premtim stabiliteti në rajonin e trazuar, veçanërisht pas kaosit të “revolucionit” të vitit 2011, i cili rrëzoi Hosni Mubarakun pas 30 vjetësh në pushtet.

Kritikët e akuzojnë atë për përkeqësim të situatës ekonomike dhe mungesë të lirive civile. Inflacioni në vend aktualisht është rreth 36.4 për qind.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat