Kimi verikorean braktis planet për bashkim mes dy Koreve

Azia

Kimi verikorean braktis planet për bashkim mes dy Koreve

Më: 16 janar 2024 Në ora: 17:55
Lideri verikorean, Kim Jong Un, duke mbajtur fjalimin parlamentar, më 16 janar.

Lideri verikorean, Kim Jong Un, ka thënë se bashkimi me Korenë e Jugut nuk është më i mundshëm, dhe që duhet ndryshuar Kushtetutën për ta shpallur atë “armik kryesor”.

Kim ka thënë se tri organizatat që merren me çështje të bashkimit duhet të mbyllen, sipas medias shtetërore KCNA.

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, ka thënë se do të përgjigjet “disa herë më ashpër”, nëse do të ketë provokime prej Koresë së Veriut.

Dy Koretë janë ndarë prej Luftës Koreane, që ka përfunduar më 1953.

Ato nuk kanë nënshkruar traktat të paqes, prandaj teknikisht janë në luftë qysh atëherë.

Në një fjalim të mbajtur para Asamblesë Supreme Popullore – parlamentin verikorean – Kim ka thënë se Kushtetuta duhet të ndërrohet për t’i edukuar verikoreanët që Koreja e Jugut është “armik kryesor”.

Ai ka thënë që nëse shpërthen lufta në Gadishullin Korean, Kushtetuta e shtetit duhet të reflektojë çështjen e “pushtimit”, dhe “inkorporimit” të Koresë së Jugut në territorin e vet.

Kim – i cili e ka zëvendësuar babanë e tij, Kim Jong-il, si lider verikorean më 2011 – ka thënë se Koreja e Veriut “nuk dëshiron luftë, mirëpo nuk synon ta shmangë atë”, sipas medias shtetërore.

Në një raport të publikuar javën e kaluar për North 38 – organizatë me bazë në Shtetet e Bashkuara, me fokus në Korenë e Veriut – ish-zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit, Robert Carlin, dhe shkencëtari bërthamor Siegfried S Hecker, kanë thënë se situata në Gadishullin Korean është “më e rrezikshme se kurrë më parë”./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat