Izraeli paralajmërohet për katastrofë nëse nis ofensivë tokësore në Rafah

Azia

Izraeli paralajmërohet për katastrofë nëse nis ofensivë tokësore në Rafah

Më: 11 shkurt 2024 Në ora: 12:18
Një familje palestineze, e zhvendosur në një tendë në Rafah, qytet i Rripit të Gazës në kufi me Egjiptin.

Vendet fqinje të Izraelit, dhe ndërmjetësuesit kyçë, kanë paralajmëruar për katastrofë, nëse ushtria izraelite nis ofensivë tokësore në qytetin jugor të Gazës, Rafah, ku Izraeli beson se janë edhe disa bastione të Hamasit - bashkë me mbi gjysmën e popullsisë së enklavës.

Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Sulmet ajrore izraelite kanë vrarë të paktën 44 palestinezë – përfshirë shumë fëmijë – në Rafah të shtunën, disa orë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, ka thënë se i ka kërkuar ushtrisë një plan për evakuim të qindra mijëra njerëzve, para se të nisë pushtimi.

Ai nuk ka përmendur afate kohore, por njoftimi ka shkaktuar panik.

Më shumë se 2.3 milionë banorët e Gazës janë duke u strehuar në Rafah, që gjendet në kufi me Egjiptin.

Shumë prej tyre kanë ikur pas kërkesave të ushtrisë izraelite për t’u larguar prej dy të tretës së territorit të Gazës, pas nisjes së luftës më 7 tetor të vitit të kaluar.

Tani është e paqartë se ku mund të shkojnë ata.

Lufta është nxitur prej sulmeve të Hamasit në tokën izraelite, atë ditë, duke vrarë mbi 1.200 izraelitë dhe duke marrë 240 pengje.

Ministri i Jashtëm i Egjiptit, Sameh Shoukry, ka thënë se ofensiva tokësore e Izraelit do të kishte “pasoja shkatërruese” dhe, sipas tij, Izraeli synon t’i dëbojë palestinezët prej asaj toke.

Egjipti ka paralajmëruar se çdo lëvizje e palestinezëve drejt Egjiptit mund të kërcënojë traktatin e paqes – të vjetër mbi katër dekada – në mes të Izraelit dhe Egjiptit.

Një tjetër ndërmjetësues, Katari, ka paralajmëruar, po ashtu, për katastrofë, derisa Arabia Saudite ka parajmëruar për “pasoja shumë serioze”.

Tashmë ka thellim të dallimeve edhe në mes të Netanyahut dhe Shteteve të Bashkuara, pasi zyrtarët amerikanë kanë thënë se pushtimi në Rafah, pa plan për civilët, do të rezultojë me katastrofë.

“Njerëzit në Gazë nuk mund të zhduken në ajër”, ka thënë ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock në X – platformën e njohur deri më tani si Twitter.

Netanyahu ka thënë se është e pamundshme që të eliminohet Hamasi, duke i lënë katër batalione të grupit në Rafah.

Pavarësisht kritikave, ai është i vendosur të ecë përpara.

“Ata që na thonë se nuk mund të hyjmë assesi në Rafah, janë duke na thënë që të humbim luftën, të mbajmë Hamasin aty", ka thënë ai për një emision të rrjetit televiziv amerikan ABC News.

I pyetur se ku duhet të shkojnë civilët, Netanyahu ka thënë se “zonat që kemi pastruar në veri të Rafahut, ka shumë tokë atje, por jemi duke punuar në një plan të detajuar”.

Izraeli ka kryer sulme pothuajse çdo ditë në Rafah, afër pikës ku hyjnë ndihmat në Gazë, të cilat janë tepër të nevojshme për palestinezët.

Mbi 28.000 persona të vrarë

Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se 28.064 persona janë vrarë si pasojë e ofensivës tokësore dhe ajrore të Izraelit.

Mbi 67.000 besohet se janë të plagosur.

Izraeli e mban përgjegjës Hamasin për vdekjet e civilëve, duke thënë se pjesëtarët e grupit fshihen në zonat e dendura me civilë, ani pse zyrtarët amerikanë kanë bërë thirrje për sulme të sakta.

Presidenti amerikan, Joe Biden konsideron se përgjigja e Izraelit për sulmet e Hamasit është e tepruar.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se Rafahu, qytet që ka pasur rreth 300.000 banorë, tani i ka 1.4 milion banorë, pasi rreth 80 për qind e banorëve të Rripit të Gazës janë detyruar të zhvendosen.

Pjesa tjetër e Gazës

Ushtria izraelite ka thënë të shtunën se ka zbuluar tunele nën selinë kryesore të Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë në qytetin e Gazës, duke akuzuar militantët e Hamasit se e kanë përdorur hapësirën.

Sulmet ajrore izraelite në qytezën Deir al-Balah, kanë lënë të vrarë pesë persona dhe kanë plagosur 10 të tjerë, sipas zyrtarëve spitalorë dhe gazetarëve të agjencisë së lajmeve AP.

Në lagjen Tel al-Hawa të qytetit të Gazës, dy mjekë prej Kryqit të Kuq Palestinez janë gjetur të vdekur në një ambulancë të zhdukur që 12 ditë.

Ata kanë tentuar të shpëtojnë pesëvjeçaren Hind Rajab, e cila ka qenë duke ikur me familjen e saj.

Vajza më vonë ka vdekur./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat