Arrestohen dy gra iraniane pasi vallëzuan në sheshin e Teheranit

Azia

Arrestohen dy gra iraniane pasi vallëzuan në sheshin e Teheranit

Më: 11 mars 2024 Në ora: 19:17
"Grua, Jetë, Liri". Protestë në Berlin. 

Dy gra iraniane u arrestuan pasi në mediat sociale u shfaq një video në të cilën ato shiheshin duke vallëzuar në sheshin e Teheranit. Ato ishin të veshura si një personazh imagjinar iranian, i njohur si "Haxhi Firuz".

Haxhi Firuz tradicionalisht lidhet me festimet që çojnë në Nevruz - Viti i Ri Persik, që shënon fillimin e pranverës më 20 mars.

Performanca e tyre u konsiderua nga autoritetet si një veprim "kundërshtimi shoqëror", duke çuar në arrestimin e tyre me urdhër të prokurorit të Teheranit, për "veprime që thyejnë normat", sipas raportimit nga agjencia e lajmeve Tasnim.

Tensionet për sjelljen publike nga iranianët dhe zbatimin e kodit të veshjes, veçanërisht me gratë, janë rritur në Iran.

Një incident kishte ndodhur në Qom, kur një video e shfaqur në mediat sociale tregonte një klerik duke filmuar një grua që nuk mbante hixhabin teksa kishte sjellur një fëmijë në klinikë.

Nëna që shihej e tronditur, iu lut klerikut që ai të fshinte regjistrimin e paautorizuar, por ai këmbënguli se ajo duhej t'i përmbahej rregullit të hixhabit. Përplasja vazhdoi derisa gruaja filloi të ketë një krizë nervore, ndërsa kleriku u pa duke ikur nga vendi i ngjarjes.

Kjo shkaktoi reagime në mediat sociale, me raportimet fillestare që pretendonin se gruaja, së bashku me stafin e klinikës, u përballën me arrestim nga ana e inteligjencës së Gardës Revolucionare Islamike. Ata gjithashtu pretenduan se qendra mjekësore ishte mbyllur përkohësisht.

Megjithatë, autoritetet qeveritare dhe gjyqësore hodhën poshtë pretendimet duke thënë se nuk ishte bërë asnjë arrestim në lidhje me incidentin.

Prokuror i Qomit ka urdhëruar më pas një hetim për të identifikuar ata që janë përgjegjës për shpërndarjen e pamjeve në media.

Hixhabi, ose shalli islamik i kokës, u bë i detyrueshëm për gratë dhe vajzat mbi moshën 9-vjeçare në vitin 1981, dy vjet pas Revolucionit Islamik në Iran.

Shumë gra kanë shkelur rregullin gjatë viteve dhe kanë shtyrë kufijtë e asaj që zyrtarët thonë se është veshje e pranueshme.

Protestat tronditën Republikën Islamike pas vdekjes në paraburgim të Mahsa Amini, 22-vjeçare.

Amini ishte arrestuar nga “policia e moralit” në Teheran nën pretendimet se kishte shkelur kodin strik të veshjes për gratë në Iran.

Mijëra iranianë kanë dalë në rrugë për të kërkuar më shumë liri dhe të drejta të grave./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat