Raporti i CPJ për lirinë e shtypit

Bota

Raporti i CPJ për lirinë e shtypit

Më: 28 tetor 2021 Në ora: 20:23
Raporti i CPJ për lirinë e shtypit

Një raport i publikuar të enjten nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) përforcon atë që ekspertët e lirisë së shtypit kanë theksuar prej vitesh: Vrasësit e gazetarëve shpesh lihen të lirë.

Në dekadën e fundit, organizata ka regjistruar 278 vrasje të gazetarëve. Në 81% të këtyre rasteve, askush nuk është dënuar në lidhje me krimin.

"Kjo dërgon një mesazh të tmerrshëm për gazetarinë, sepse çdo qeveri, çdo bandë kriminale që dëshiron të heshtë një gazetar, mund ta bëjë këtë për disa mijëra dollarë duke punësuar një vrasës," i tha Zërit të Amerikës Robert Mahoney, zëvendësdrejtor ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Indeksi i këtij viti tregon se vendet e zakonshme – Somalia, Siria dhe Iraku – kryesojnë listën e atyre që kanë më pak gjasa të mbajnë përgjegjës vrasësit e gazetarëve. Pesë vendet e para në renditje po përballen me paqëndrueshmërinë politike të pasluftës.

Sipas raportit, në Somali, vend i shkatërruar nga lufta, gjatë dekadës së fundit, nga rreth 70 gazetarë gjetën vdekje të dhunshme për shkaqe të ndryshme. 25 vrasje mbetën të pazbardhura.

Rreziku në Afganistan rritet

Afganistani renditet i pesti në listë, me të paktën 17 vrasje të pazbardhura të gazetarëve gjatë dekadës së fundit, duke përfshirë të paktën katër gazetarë që kanë punuar për Radio Evropa e Lirë/Radio Liberty, një organizatë motër e Zërit të Amerikës.

Por vendi është bërë gjithnjë e më i rrezikshëm që nga viti i kaluar, tha CPJ-ja, me gazetarët që u larguan pasi talebanët morën kontrollin.

Të paktën dy nga gazetarët e përfshirë në të dhënat e CPJ-së raportuan se kishin marrë kërcënime nga talebanët përpara se të vriteshin. Komiteti për Sigurinë e Gazetarëve Afganë, organizatë që ka vëzhguar sulmet ndaj mediave për një periudhë më të gjatë se raporti i CPJ-së, tha se talebanët dyshohen të jenë përgjegjës për të paktën 27 vrasje.

Afganistani është renditur vazhdimisht i pesti në indeksin e CPJ-së, por organizata vëren se qindra gazetarë u larguan nga vendi në gusht dhe shtator.

“Ndërsa vendi i Afganistanit në indeks nuk ndryshoi, situata në terren për gazetarët u përkeqësua në mënyrë dramatike në vitin 2021, pasi talebanët morën kontrollin në mes të gushtit, në prag të tërheqjes së forcave amerikane dhe të koalicionit dhe largimit së presidentit Ashraf Ghani, thuhet në raport.

"Tani që strukturat e drejtësisë për hetimin dhe ndjekjen penale janë dobësuar ndjeshëm, nëse nuk janë shkatërruar, ka shumë pak gjasa që ndonjë nga ato çështje të pazbardhura të marrë drejtësi," tha zoti Mahoney.

Në muajt e fundit, gazetarët në Afganistan dhe ata që janë larguar nga vendi kanë thënë se shumë nga kolegët e tyre janë zhdukur.

"Vendndodhja e më shumë se 200 gazetarëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile nuk dihet," i tha Zërit të Amerikës në shtator Storai Karimi, një gazetare e organizatës Pajhwok Afghan News, e cili është vendosur tani në Pakistan.

“Kjo tregon se gazetarët nuk janë të sigurt”, tha zonja Karimi.

Farida Nekzad, drejtoresha e Qendrës për Mbrojtjen e Gazetareve Afgane që u larguan për në Kanada për siguri, i tha Zërit të Amerikës këtë muaj se kolegët e saj kanë rrëfyer histori të tmerrshme të forcave talebane që kanë hyrë në zyrat dhe shtëpitë e tyre, por se ata janë shumë të frikësuar për të raportuar kërcënimet.

"Askush nuk do t'i ngrejë këto çështje, sepse ata kanë frikë," tha ajo.

Gazetarët nga rrjetet e USAGM-së, përfshirë Zërin e Amerikës, janë ndër ata që janë larguar ose po përpiqen të evakuohen nga Afganistani.

'Kanceri në gazetari'

Sipas zotit Mahoney, mosndëshkueshmëria e atyre që kërcënojnë dhe vrasin gazetarët ka bërë që frika dhe autocensura mes gazetarëve të rritet.

"Mosndëshkueshmëria është një kancer në gazetari. Ajo i bën gazetarët të censurojnë veten, sepse jetojnë me frikën për jetën nëse hedhin dritë mbi problemet e errëta," tha ai. “Për sa kohë që një vrasës i një gazetari është i lirë, gazetaria në atë vend është në rrezik”.

Që kur CPJ-ja publikoi indeksin e saj të parë vjetor të mosndëshkimit më shumë se një dekadë më parë, situata në shumë nga vendet e renditura më keq nuk duket se është përmirësuar. Por mbrojtësit e lirisë së shtypit thonë se është e nevojshme të vazhdohet me presionin dhe monitorimin e vendeve që nuk i mbajnë përgjegjës vrasësit.

"Unë në fakt mendoj se ka vlerë t'i etiketosh këto gjëra ashtu siç janë dhe t'i vendosësh në një sferë më publike," i tha Zërit të Amerikës Almudena Bernabeu, një avokate ndërkombëtare dhe drejtore e Qendrës Guernica për Drejtësi Ndërkombëtare.

Gjykata e Popullit

Bernabeu u zgjodh si kryeprokurore në Gjykatën e re Popullore të Hagës që do të hetojë vrasjet e gazetarëve. Seanca e parë është caktuar për 2 nëntor, dita ndërkombëtare për t'i dhënë fund pandëshkueshmërisë për krimet kundër gazetarëve.

Gjykata nuk do të ketë kompetenca për të ndëshkuar apo dënuar askënd, por personat e përfshirë thonë se procesi i hetimit të rrethanave dhe të dyshuarit për vrasje do të ndihmojnë lirinë e shtypit globalisht, edhe nëse udhëheqësit e qeverisë nuk kanë gjasa të paraqiten vetë në gjykatë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat