Hakerat publikojnë të dhënat e policisë nga 3 shtete

Bota

Hakerat publikojnë të dhënat e policisë nga 3 shtete

Më: 11 tetor 2022 Në ora: 23:41
Foto ilustrim

Kina, Rusia dhe Britania e Madhe janë 3 vendet nga ku publikohen të dhënat sensitive që hakerat kanë arritur të marrin nga Policia e Shtetit.

Në këtë përfundim ka dalë Prokuroria e Tiranës, e cila ka kryer hetime duke ndjekur IP e adresave të cilat në mënyrë të vazhdueshme shpërndajnë informacione përmes platformës së komunikimit Telegram.

“Postimi i të dhënave kryhet nga faqja online me emërtimin “HomelandJustice” si dhe nga profili në rrjetin social “Telegram” me emërtimin “JusticeHomeland1”.Nga veprimet hetimore, ka rezultuar se këto faqe kanë IP në Hong Kong, Britaninë e Madhe dhe në Rusi”.

Nisur nga konkluzioni paraprak i arritur, Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata e Tiranës sekuestrimin e këtyre të dhënave të publikuara nga grupi ‘Homeland Justice’. Kjo kërkesë u aprovua nga togat e zeza të kryeqytetit, por veprimet e prokurorisë nuk u ndalën këtu.

Me qëllim shmangien e rrjedhjes së informacioneve të tjera sensitive, organi i akuzës njofton se i është drejtuar me kërkesë zyrtare organeve ligjzbatuese të Rusisë, Kinës dhe Britanisë së Madhe për të mbyllur këto faqe.

Kjo kërkesë nga ana e autoriteteve shqiptare vjen pas informacioneve të shumta që hakerat e ashtuquajtur ‘HomeLand Justice’ kanë publikuar nga të dhënat e marra përmes dy sulmeve kibernetike ndaj sistemit AKSH dhe Ministrisë së Brendshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat