SHBA në bisedime me Elon Musk për të mundësuar internet satelitor në Iran

Bota

SHBA në bisedime me Elon Musk për të mundësuar internet satelitor në Iran

Më: 22 tetor 2022 Në ora: 21:23
Elon Musk

Shtëpia e Bardhë ka filluar bisedimet me miliarderin Elon Musk për të mundësuar që shërbimi satelitor i kompanisë SpaceX të ofrohet në Iran, njoftoi të premten kanali televiziv CNN.

Kanali citoi zyrtarë amerikanë në dijeni të bisedimeve, të cilët thonë se Shtëpia e Bardhë e shikon shërbimin e internetit të quajtur Starlink, si një mënyrë e mundshme për t’u lejuar iranianëve qasjen në internet, dhe anashkalimin e kufizimeve të qeverisë.

Qeveria iraniane kufizoi së tepërmi qasjen në internet pasi filluan muajin e kaluar protestat për vdekjen e 22 vjeçares Mahsa Amini, e cila ishte arrestuar nga ashtuquajtura policia e moralit.

“Po bëjmë çfarë të mundemi për të mbështetur aspiratat e popullit iranian”, i tha CNN-it një zyrtar i lartë i administratës amerikane.

“Njëkohësisht, kjo është vërtet një lëvizje iraniane, e udhëhequr nga vajzat dhe që po përhapet në aspekte të tjera të shoqërisë. Dhe ne nuk duam kurrsesi të eklipsojmë lëvizjen e tyre”, tha zyrtari.

Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave të Zërit të Amerikës për koment.

Shërbimi Starlink, i cili përdor satelitët për të transmetuar shërbim interneti drejt tokës, i ka ofruar internetin Ukrainës që kur Rusia sulmoi ushtarakisht.

Image
Një terminal pritës për shërbimin e internetit Starlink në qytetin ukrainas Lyman (7 tetor 2022)

 

Kanali CNN njoftoi javën e kaluar se kompania SpaceX i ka kërkuar Pentagonit të paguajë dhjetëra miliona dollarë në muaj për të financuar shërbimin Starlink në Ukrainë. Pasi kjo u raportua në edicionet e lajmeve, zoti Musk shkruajti në Twitter se e ka tërhequr mbrapsht kërkesën për fonde.

Nuk dihet nëse shërbimi Starlink po kërkon financimin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të mundësuar aktivitetin në Iran.

Zonja Amini u arrestua më 13 shtator nga policia iraniane e moralit për “veshje të papërshtatshme të hixhabit”. Ajo vdiq tre ditë më vonë ndërsa mbahej nga policia, duke shkaktuar kështu protesta në mbarë vendin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat